
Brenda një periudhe të shkurtër kohore, fermerët në disa zona të vendit janë përballur dy herë me përmbytje, duke humbur të mbjellat dhe duke pësuar dëme të rënda ekonomike.
Panorama e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e muajve të fundit është alarmante.
Për “MCN Live”, kreu i Shoqatës së Agro-Turizmit, Agron Rrapaj, thekson se situata është katastrofike dhe tejkalon kapacitetet e fermerëve për ta përballuar.
Ai mori si shembull kulturën e grurit, për të cilën tha se rreth 50-60 mijë hektarë janë dëmtuar rëndë dhe nuk mund të rikuperohen më.
Dëmi është i jashtëzakonshëm, sidomos kur e krahasojmë me mundësitë reale që kanë fermerët për ta përballuar. Fermeri nuk ka kapacitet financiar për dëme të këtij niveli.
Dëmet janë të përhapura në të gjithë sipërfaqen e përmbytur, ku gruri dhe bimët e arave janë shkatërruar plotësisht.
Rreth 5–6 mijë hektarë kanë qenë nën ujë, çka ka bërë që as kompanitë e mëdha të mos kenë mundësi rikuperimi.
Fillimisht u raportua për rreth 13 mijë hektarë të përmbytur, por shifrat reale janë shumë më të larta. Nuk presim asnjë lloj rikuperimi për ato zona që janë prekur nga përmbytjet.
Përveç kulturave të arave, dëme të mëdha kanë pësuar edhe perimet në sera, pohon Rrapaj.
Rreth 40% e serave që ndodheshin në fazë vegjetative gjatë ditëve të ftohta janë asfiksuar dhe shkatërruar nga uji.
Në këtë situatë, apelohet për rikthimin urgjent në punimin e tokës, por edhe për marrjen e masave afatgjata.
Duhet të vendoset një skemë sigurimi të detyrueshëm për bujqësinë, sepse nuk ka alternativë tjetër për të përballuar fatkeqësi të tilla natyrore.



