
Olta Xhaçka është ëmëruar ministre për Europën dhe Punët e Jashtme duke zëvendësuar në këtë mënyrë ministrin aktual, Gent Cakaj.
Posti i ministrit të Mbrojtjes i mbajtur nga Xhaçka do të zëvendësohet nga Niko Peleshi.
Burime bëjnë me dije se Gent Cakaj, ministri aktual i Punëve të Jashtme, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, duke sjellë ndryshime në dy prej ministrive më të rëndësishme.
Ndryshimet e fundit në qeveri janë njoftuar nga vetë kryeministri Rama, nëpërmjet një postimi në Twitter.
Kryeministri Rama në Twitter:
Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t'ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.
Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes.
Ndërkohë Gent Cakaj, ka qënë i pari që ka njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i Ministrit të Punëve të Jashtme, nëpërmjet një postimi në Facebook.
Cakaj ka theksuar gjithashtu nuk synon të angazhohet si deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Postimi i plotë i Gent Cakajt
Të nderuar qytetarë,
Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.
Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.
Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.
Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time - shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime!



