Intervista në “Fact Check”/ Celibashi: Votimi elektronik në 2025-ën nëse do politika. Akuzat ndaj KQZ, propagandë

Intervista në “Fact Check”/ Celibashi: Votimi elektronik në 2025-ën nëse do politika. Akuzat ndaj KQZ, propagandë

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi në një intervistë për “Fact Check” në MCN TV i konsideroi si propagandë akuzat e politikës në drejtim të institucionit që ai drejton. I pyetur nëse mund të kemi votim dhe numërim elektronik në gjithë Shqipërinë në 2025-ën, Celibashi theksoi se do të varet nga vullneti politik, por puna duhet të nisë që sot. I pyetur në nëse ia ka arritur qëllimit ligji i dekriminalizmit, Celibashi tha: “Fakti ngelet që disa prej atyre që tentuan të ishin qoftë të zgjedhur si deputetë, apo anëtar të këshillit të bashkisë, e humbën këtë mundësi për shkak të këtij ligji. Nuk marr përsipër ta them që të komentoj mbi cilësitë e këtyre personave, dhe nëse ka qenë mirë apo keq që të ishin kandidatë apo të merrnin mandatin. Janë në total 44 kandidatë, 11 kandidatë për kryetar bashkie dhe 33 kandidatë për anëtarë këshilli që po i nënshtrohen procesit të verifikimit të thelluar. I kemi dërguar në organin e Prokurorisë për të verifikuar çfarë kanë prezantuar në formularët e dekriminalizimit. Nga 11, 9 prej tyre e kanë fituar mandatin e kryetarit të bashkisë”, tha Celibashi. Lidhur me mosfunksionimin e pajisjes në disa QV Celibashi thotë se po kryhen verifikime përmes një grupi ku bëjnë pjesë ekspertë të jashtëm dhe përfaqësues të kompanisë. “Edhe në ditët në vijim do të jetë e qartë që ajo që u soll në vëmendje të opinionit, ajo problematikë nuk ka ekzistuar ashtu siç u komentua dhe ndoshta siç u perceptua nga një pjesë e madhe e opinionit publik, që i gjendur në propagandën e politikës, disa fakte, ose të dhëna, i mori si të vërteta. Ka pasur problematika të funksionimit të pajisjes së identifikimit elektronik dhe kjo është e natyrshme sepse jemi në fazat e para të implementimit. Është e sigurt që s’ka lidhje me ndikimin e faktorëve të tretë, të jashtëm, nuk ka të bëjë me cilësinë e pajisjes”, shtoi kreu i KQZ. I pyetur a do të munden shqiptarët në 2025-ën të votojnë në pak minuta dhe ta njohin rezultatin pa kaluar mesnata?, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve u shpreh: “Politika mund të mos e dojë, dikush e do, dikush s’e do, dikush në një moment e do por ndryshon mendje, çështjet e buxhetit janë edhe ato sepse janë goxha me kosto implementimi i votimit elektronik. Duhet bërë shumë punë me trajnimin e atyre që merren me përdorimin e këtyre dy sistemeve. Kërkohet shumë kohë. Nuk mund të vendosësh 2-3, apo 5 muaj para zgjedhjeve. Nga sot është e gjithë koha e mjaftueshme që KQZ t’i gjejë njerëzit dhe t’i trajnojnë, që mos të detyrohemi t’i marrim njerëzit nga rruga në momentin e fundit. Dy vite janë mëse të mjaftueshme prandaj politika duhet të vendosë sa më shpejtë, ka interes ta shtrijë votimin dhe numërimin elektronik edhe në zona të tjera, apo jo. Qeveria duhet të thotë i ka paratë apo nuk i ka për ta financuar”. Sa i takon çështjes së Fredi Belerit, Celibashi tha se ajo çështje ka dalë tanimë jashtë fushës së veprimit të KQZ-së. “Ai është i zgjedhur. Ka marrë mandatin e bashkisë së Himarës, tani është një çështje që ka dalë tërësisht jashtë veprimit dhe fushës së veprimit të KQZ. Ne kemi përfunduar me procesin zgjedhor në Himarë. Është tërësisht një çështje e këshillit bashkiak, prefektit, qeverisë, institucioneve të tjera. Se çfarë ndodh atje ne jemi komplet të ç’interesuar. Është detyrim i ligjit që nëse do ketë zgjedhje të parakohshme kudo, KQZ t’i përgatisë ato, në Himarë apo kudo tjetër”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy