Për shqiptarët e Kosovës 12 qershori 1999 asnjëherë nuk do të harrohet, kauza e tyre për liri u dëgjua në të gjithë botën. Më në fund gjenocidi serb u pranua dhe u njoh nga një pjesë e mirë e Europës. 24 vite më parë 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara mbërritën në Kosovë për ta çliruar nga sundimi barbar serb. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze. Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës. Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës. “12 qershor 1999, raportoja drejtpërdrejtë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynin në Kosovë, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët. Liria e Kosovës po i vinte më pak se tre muaj pas 24 marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe që bënin spastrim etnik, masakra e gjenocidit kundër shqiptarëve. Kështu mbaroi një luftë e cila ishte e drejtuar kundër vlerave perëndimore dhe civilizimit europian. Mbaroi një luftë e cila me siguri Kosovën do ta kishte zbrazur nga popullata e saj autoktone shqiptare dhe do të kishte destabilizuar të gjitha vendet fqinje”, shkruan në ditarin e tij ish-ministri gjerman i mbrojtjes, Rudolf Scharping. Për t’u përballur me situatën e pas tërheqjes së trupave ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe nga Kosova, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pasdite arritën pëlqimin dhe i dhanë dritën e gjelbër trupave paqësore ndërkombëtare, KFOR. Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovon dërgimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, dhe ngarkon e OKB-në, përmes Rezolutës 1244, me ndërtimin e administratës së përkohshme vendore. Por a u çlirua plotësisht Kosova nga sundimi serb, politika e saj ishte e pavarur apo politikanët kosovar dhe shqiptar e kthyen gjakun, sakrificat, mjerimin e mijërave kosovarëve në interesat e tyre personale, pasi u gostitën nga sigurimi dhe shteti jugosllav. Sot në Kosovë gjendja e sigurisë në Veri, në katër komuna me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar. Derisa përpjekjet për të qetësuar gjendjen nga ndërkombëtarët kanë filluar, një varg ngjarjesh ndodhen në veri të vendit. Katër komunat me shumicë serbe në veriun e vendit përbëjnë rreth 17% të tërë territorit të Kosovës. Që nga paslufta, rajoni ka mbetur në një gjendje të ngrirë pothuajse, pasi autoritetet nuk arritën të shtrijnë ligjin plotësisht asnjëherë. Kështu, zona u kthye në një burim të problemeve të sigurisë. Së fundmi, Kosova u bë lajm në mediat ndërkombëtare pikërisht për situatën e sigurisë në Veri. Por e gjitha kjo mos është një ndër skenarët e shkruara vite më parë nga qeveria serbe për të prishur marrëdhëniet miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, nëse është kështu, deri më tani skenari i tyre ka funksionuar plotësisht. Sot shteti i Kosovës ka kundër mikun e saj më të madh që 24 vite më pare i solli çlirimin e vendit, pikërisht Amerikën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dënuar ashpër situatën e krijuar në Veri të Kosovës gjatë ditës së sotme ku ka pasur përplasje të ashpra mes policisë dhe protestuesve për shkak se kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës kanë tentuar të hyjnë në ndërtesat komunale, procesin e dialogut me Serbinë. “I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurtit të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”,- shkruan Blinken. Një reagim të ashpër për Kosovën pati edhe nga Bashkimi Europian ku kërkohet që merren veprime të menjëhershme për të ulur tensionet duke nënvizuar se BE nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm provokues. Skënder Kapiti për emisionin "Rrëfimi juaj" në MCN Tv, UÇK-në e ka quajtur këmbësoria e NATO-s, pasi ishte ushtria më e re në Europë, ajo lindi në Kosovë e cila atëherë ishte një koloni e Serbisë ku kjo e fundit kishte instaluar aparatin shtetëror gjenocidial anti-shqiptar. Specifika e saj e veçantë është se ndërkombëtarizoi çështjen kombëtare shqiptare duke detyruar shtete të fuqishme europiane të cilat në vitin 1913 copëtuan plotësisht Shqipërinë, ndërsa këtë herë do të ndërhynin për stabilizimin e situatës. Lidhja Demokratike e Kosovës me drejtues Ibrahim Rugovën, bëri bashkë të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin. Në kushtet ku Serbia kishte nisur reprezaljen e shqiptarëve të Kosovës, duke i hequr dhe autonominë që e mbarte në vitin 1974, në këto kushte Rugova arriti të krijonte një shtet paralel duke sfiduar Jugosllavinë. Nga ana tjetër Skënder Kapiti shprehet se ndihmesa e shteteve europiane e cila mbërriti në Kosovë ishte një ndër borxhet e kthyer, Europa ku shumë borxhe kundrejt çështjes shqiptare, por ne ende nuk kemi mësuar se si t’ia kërkojmë atyre këtë borxh. Përplasjet në Veri të Kosovës, për Skënderin është një skenar i shkruar vite më parë. Që në kohën e çlirimit të Kosovës, UÇK duhej të vendoste flamurin e saj në të gjitha kufijtë e Kosovës, dhe të shpallte pavarësinë e saj në atë moment. Ajo duhej ti thoshte ndërkombëtarëve të futen në kazerma duke treguar në formë demonstrative se çlirimi i vendit erdhi prej tyre. Problemin në Veri, Serbia do të përpiqet duke e ndërkombëtarizuar dhe duke ja paraqitur botes që ekziston një shqetësim serb. Për Skënder Kapitin formën sesi sillet politika shqiptare tregon se e ka në dorë agjenturat e huaja. Shteti Jugosllav i ka rrënjët e vjetra me popullin tonë, që në monarkinë e Zogut duke e ndihmuar të vij në pushtet, më pas atë komuniste. Shqetësim mbetet politika pas viteve ‘90-të, nga ngjarjet e rënda kombëtare të krijuara dëshmon qartë se është pasardhëse e tyre. Për Kapitin vetëzhvillimi i ngjarjeve bën të kuptosh se kundërshtari punon, atij i intereson se shkatërrimi i shtetit armik të vij vetë nga politikanët e tyre. Por a ishte vetëm shteti i Serbisë ai që nuk dëshironte çlirimin e Kosovës? Kapiti tregon faqen tjetër të historisë. “Nëse SHBA nuk do të ndërhynte për të stabilizuar situatën, Serbia kurrë nuk do ta lëshonte Kosovën, pasi gjithmonë ka qenë e mbrojtur nga shteti rus. Rusia e quan Serbinë djalin më të madh të saj. Strategjia serbe gjithmonë ka pasur për qëllim të shkatërrojë marrëdhëniet miqësore me SHBA, por politika jonë duhet të punojë fortë që kjo miqësi të mos lëkundet.” Skënder Kapiti i cili rrjedh nga një familje kosovare prej vitesh ishte i njohur me masakrat dhe gjenocidin serb, ndonëse shumë shqiptarë para viteve ‘98 nuk e besonin një gjë të tillë. Kapiti shprehet se Serbia ka projekte të shumta sesi të dëbojë shqiptarët nga Ballkani, dhe në vend që sot të bëhej një gjyq për gjenocidin serb, tani Serbia ka rritur që të bëj probleme akoma në Kosovë. Për Skënderin politika e Tiranës asnjëherë nuk e ka pasur problem çështjen shqiptare, ajo duhet të ndihmojë Kosovën dhe Luginën e Preshevës konkretisht, dhe të mbrojë interesat e shqiptarëve kudo në Ballkan. Çudi për Kapitin do të mbetet gjithmonë fakti se politika shqiptare, para se të çlirohej Kosova asnjëherë nuk thoshte se ajo duhet të jetë një shtet i pavarur.



