Kurrë më parë dhe mbase asnjëherë në kohë një brez i tërë të rinjsh nuk do kenë një idhull si Aleksandër Kondo. Në vitet 80 në Tiranë dhe kudo, çdo kush do të donte të bëhej si ai, me trupin e tij. Përveç se ishte rebel dhe me trupin më të bukur në Shqipëri, Kondo ishte shembulli tipik për të gjithë për tu marrë me sport. Vetë Kondo ishte ithtar i Steve Reevs, aktorit me trupin më të bukur në vitet 60’ në botë e që luante Herkulin. Edhe Reevs ishte idhulli më i madh i të rinjve shqiptarë në kohën e tij. Ndërsa baballarët e tyre mbeten me kujtimet e largëta, bijtë sot, janë çmendur pas Tik-Tok, dhe mbi të gjitha pas reperëve në Tik Tok. Për një llogari në këtë platformë, të rinjtë janë gati të nxjerin armët, janë gati të nxjerrin thikat dhe të vriten.
Por, sikur të mos mjaftonte kjo, ka edhe një tjetër ndryshim thelbësor midis mënyrës se si të rinjtë në Shqipëri i zgjidhnin dikur konfliktet, dhe se si i zgjidhin sot. Edhe 30 vite më parë adolishentët konfliktoheshin me njëri tjetrin. Mbase edhe më shumë se sot. Zakonisht me ndonjë grushtim të shpejtë në oborre shkollash apo territore lagjesh. Kush ishte më i forti fizikisht mund të fitonte, por ai asnjëherë nuk bëhej pre e ndonjë hakmarrjeje kaq vrastare dhe te dhunshme sa sot. Më pas vinte pajtimi dhe bëheshin shokë. Sot ndryshon. Sot edhe shokët pa kurrfarë lidhje me ngjarjen i kanë duart tek thikat apo tek hanxhari menjeherë për të shkaktuar vdekje. E kur një prind humb fëmijën çfarë mund t'i thuash? Nuk ka asnjë recetë të gatshme për dhimbjen, apo për tragjedinë. Nuk ka fjalë. E adoleshentët vazhdojnë të vriten, ministrja e Arsimit thotë se duhet të vigjilojmë si shoqëri, ndërsa e indinjuar nga vrasja në Gramsh, i kushton ngjarjes gjashtë reshta tekst në rrjetin e saj social Facebook, duke premtuar vende të reja pune. Për të ka rëndësi që u vra jashtë territorit të shkollës. Jashtë territorit fajin e ka gjithkush. Por pas vrasjes në Gramsh, a do të vigjilojë shoqëria për më vonë? Nëse do të mbyllim Tik-Tokun në Shqipëri, a do të rendin të gjithë të jenë në rreshtin e idhtarëve të dijes dhe kulturës, apo llumi i reperëve është ngjitur pas trupave të adoleshentëve? Kjo është një pikëpyetje e madhe.



