Çdo ditë shkatërrimi i habitateve, tregtia ilegale, gjuetia pa leje, ndotja, ndryshimet klimatike rrezikojnë speciet shtazore dhe bimore të planetit tonë. Sot speciet po zhduken me një shpejtësi rreth 100 herë më të madhe se në të kaluarën.
Sipas Platformës Ndërqeveritare për Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit, rreth 1 milion specie bimore dhe shtazore kërcënohen me zhdukje. Shumë prej tyre mund të zhduken brenda pak dekadash.
Nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë e deri më sot, të paktën 680 lloje vertebroresh janë shtyrë drejt zhdukjes dhe më shumë se 9% e të gjitha racave të gjitarëve të zbutur, të përdorura për ushqim dhe bujqësi, janë zhdukur dhe të paktën 1000 raca të tjera tani janë të kërcënuara.
Numri mesatar i specieve vendase në shumicën e habitateve tokësore është ulur me të paktën 20%, duke u përshpejtuar gjatë njëqind viteve të fundit. Më shumë se 40% e llojeve të amfibëve, gati 33% e koraleve dhe më shumë se një e treta e të gjithë gjitarëve detarë janë të kërcënuar.



