Ish-komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari foli në MCN Live lidhur me kërkimet që kanë nisur Greqia në një zonë të kontestuar dhe të padelimituar me Shqipërinë.
Sipas Meçollarit heshtja e ministrisë së Jashtme shqiptare ose tregon dakordësi, ose pafuqinë e institucionit për të reaguar.
Meçollari thekson se Shqipëria nuk duhet të bjerë viktimë e strategjisë greke, lidhur me zonën që ka pasuri të mëdha hidrokarburesh.
Dimë që disa anije, dy norvegjeze dhe dy të tjera me flamur tjetër po kryejnë studime në zonën e Jonit, në Perëndim dhe në Jug të Korfuzit edhe në Veri. Anijet kanë hyrë në zonën e kontestuar apo e padelimituar, e cila është e papërcaktuar se kujt i takon, për shkak të mungesës së marrëveshjes Shqipëri-Greqi. Është zonë kontestuese ku palët nuk mund të kryejnë studime, apo shfrytëzim burimesh. Kjo i jep të drejtë shtetit që ka interesa në zonë të kontestojë këtë veprim. Është i njëjti rast si ai në Mesdheun Lindor, mes Greqisë dhe Turqisë, ku Turqia kryen kërkime në një zonë të delimituar dhe Greqia konteston. Ka 5 ditë që e ndjek këtë ngjarje. Në rrugë zyrtare nuk ka asnjë reagim. Është një çështje që ka sensibilitet për arsye sepse sipas konventës të nenit 77, shteti shqiptar ka të drejta sovrane në atë zonë. Për sa kohë që nuk ka një delimitim nuk mund të kryhet pa dakordësi dhe në mënyrë të njëanshme. Heshtja normalisht nënkupton një po. Pala greke po bën një lloj presioni për të zgjidhur çështjen e delimitimit, të bllokuar për herë të tretë nga pala jonë. Delimitimi është në interes të dy shteteve, me kushtin që strategjia jonë detare të mos bjerë viktimë e strategjisë greke. Përveç ndarjes së zonave kërkon krijimin e një precedent për zgjidhjen e çështjeve në Mesdheun Lindor me Greqinë. Mungesa e strategjisë tregon që ose shteti shqiptar ka rënë dakord në heshtje, ose s’ka fuqi të mjaftueshme për të kundërshtuar këtë veprim të palës greke, kur disa vite më parë është bërë”.
Meçollari vë në dukje se kërkimet krijojnë një kosto në reputacionin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë. Ai shton se i vetmi “ekspert” që flet për marrëdhëniet e kufirit detar me Greqinë është kryeministri! Meçollari paralajmëron se në të ardhmen mund të kemi probleme me Malin e Zi.
Ka kosto në besueshmërine ndërkombëtare të shtetit. Është një kosto në reputacionin e shtetit, prestigjit të shtetit. Anijet bëjnë studime në një territor që nuk është i tyre. Mënyra e hyrjes së tyre pa marrëveshje dhe dakordësi të bën të kuptosh që ka mungesë fuqie nga pikëpamja diplomatike e Shqipërisë. Komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyn sepse është çështje bilaterale. Sot po shohim që mungon ekspertiza nga pikëpamja e trajtimit të çështjes. I vetmi ekspert që ka dalë në çështjen e marrëdhëniet detare me Greqinë, është vetëm kryeministri. Duhet të dalin ekspertët dhe nëpunësit e shtetit të japin deklarime në lidhje me çështjen. Ne kemi probleme edhe me Malin e Zi. Nuk kemi të delimituar as detin territorial, as SHELF-in kontintenal, as Zonën Ekskluzive Ekonomike, që mund të kthehet në precedent. Sot kemi vetëm një marrëveshje, një me Italinë për SHEFL-in kontinental, jo Zonën Ekskluzive ekonomike. Është e njëjta ministri e Jashtme që para disa vitesh reagoi, dhe është e njëjta që s’reagon. Më lë përshtypjen që s’ka mekanizmat e nevojshëm për t’u ballafaquar me këtë çështje. Sot ka qenë dita e pestë që të 4 anijet kanë hyrë në zonë. Paraqitet një zonë me pasuri të mëdha hidrokarburesh”.



