Një nga njerëzit që u rrëzuan tragjikisht nga një aeroplan ushtarak amerikan në tentativë për t’u larguar nga Kabuli ishte edhe një futbollist i ri afgan.
Zaki Anwari ishte një nga mijëra afganët që u mblodhën në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai të hënën, një ditë pasi talebanët pushtuan kryeqytetin afgan, me shpresën për të hipur në një aeroplan për t’u larguar nga vendi. Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Edukimit Fizik dhe Sporteve në Afganistan dhe thuhet se Zaki Anwari u ngjit në një aeroplan C-17 që ishte gati të nisej nga Kabuli.
Anwari luajti në ekipin kombëtar afgan të të rinjve.
Disa video që qarkulluan të hënën treguan njerëz që binin nga një aeroplan C-17 që ishte ngritur nga aeroporti i Kabulit. Më vonë, raportet lokale thanë se disa trupa ishin gjetur në disa vende në lindje të aeroportit.



