Në natën e parë të Sanremos, rrëfimi i Rula Jebreal* e grisi velin rozë të festivalit. Përpara një audience të jashtëzakonshme në sallë dhe nga shtëpitë e miliona admiruesve të Sanremos, Jebreal rrëfeu copëza të jetës që i prekën të gjithë. Në një monolog kushtuar femrave, ajo rrëfeu historinë e nënës së saj, një grua e përdhunuar që u vetëvra. "Unë do të them atë që nuk e kam thënë kurrë, as vajzës time, madje as vetes time", tha ajo.
"Nesër pyesni veten se si ishin veshur drejtueset e Sanremos, por kurrë mos pyesni se si ishte veshur një grua që u përdhunua. Nëna ime nuk gjeti forcën të përballej me atë pyetje". Monologu ndërthuri reflektimet e saj me citime të këngëve të rëndësishme për gratë "të gjitha të shkruara nga burrat". Nga "La Cura" e Battiato tek "La donna cannone" e De Gregorit, nga "Sally" e Vasco-s deri tek "C'e tempo" e Fossati-t.
Gazetarja Jebreal citoi një mori pyetjesh që u janë bërë grave të përdhunuara bë sallat e gjyqeve. Pastaj ajo shprehet: "Unë u rrita në një jetimore, na treguan për nënat tona, të cilat shpesh dhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin”. Ndërsa kthehet te shifrat që tregojnë dhunën ndaj grave në Itali (një grua e vrarë çdo tre ditë), ajo thotë: "Ne nuk duhet të kemi më frikë, ne gratë duam të jemi të lirë në hapësirë dhe kohë, të jemi njëkohësisht heshtja, zhurma dhe muzika".
"Nëna ime e humbi trenin e saj të fundit kur isha 5 vjeç, kreu vetëvrasje duke i vënë vetes flakën, sepse trupi i saj ishte kthyuer në diçka nga e cila ajo dëshironte të shpëtonte. Ajo u dhunua dhe përdhunua dy herë: një herë nga një burrë kur ishte vetëm trembëdhjetë vjeç, herën e dytë nga një sistem që nuk e lejonte atë të denonconte”. Ajo kujtoi përdhunimin e Franca Rame (që ndodhi në të njëjtin vit në të cilin u lind Rula) dhe iu drejtua burrave: «Na lini të jemi ajo që duam të jemi: nënat e dhjetë fëmijëve ose e askujt. Dhe indinjohuni së bashku me ne, kur dikush na pyet: çfarë bëre për të merituar atë që përjetove?”. Në fund të fjalimit, të gjithë të pranishmit në sallë u ngritën në këmbë, shumë prej tyre me lot në sy.
*Rula Jebreal, arabo-izraelite, është analiste e politikës së jashtme, gazetare dhe shkrimtare. Për disa kohë, ajo ka qenë komentatore për rrjetin amerikan, MSNBC. Mban dy shtetësi: izraelite dhe italiane.



