Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj i ka dalë kundër kryetarit të partisë Lulzim Basha, pas rezultatit të marrë nga zgjedhjet e së dielës, ku PD u rendit e treta në 5 nga 6 bashkitë ku u garua.
Gjekmarkaj thotë se në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.
Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm! PD duhet të mbledhë sonte me urgjencë organet e saj dhe të nxjerre përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësinë time.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, ai shton se nuk do t’i shmanget asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike.
Në fjalën e tij të parë pas zgjedhjeve, Lulzim Basha deklaroi se kushdo që dëshiron ikjen e tij do të zhgënjehet, duke e përjashtuar diçka të tillë.
Propagandës dua ti them se nuk kam humbur asnjë garë, jam përballur me masakra zgjedhore. Trekëndëshi i Bermudës, gjithçka e ka për interesa personale. Kushdo që më kërkon të braktisë detyrën, i them se do kthejmë besimin tek demokracia, me reformë të thellë zgjedhore, me reformim të PD.



