
Në fshehjen e provave pas vrasjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha është përfshirë edhe vëllai i autorit. Burimet bënë të ditur për MCN TV se Pajtim Rrushi, vëllai i Fredi Rrushit, i cili dyshohet se ka kryer vrasjen e shokut të tij, ka fshehur makinën e autorit që mund të shërbente si provë për të mbledhur gjurmët e ADN-së.
Pajtimi nuk ka treguar asgjë për ngjarjen dhe ka mohuar të ketë pasur dijeni për vrasjen. Po ashtu ai ka mohuar që të kishte lidhje me zhdukjen e makinës. Por i vënë përballë pamjeve filmike, ai nuk ka pranuar më të flasë.
Nga ora 3 e mëngjesit, kohë kur ka bërë ekzekutimin Fredi Rrushi, ka marrë Hoxhën dhe e ka vrarë direkt, sipas dyshimeve. Më pas i ka marrë celularin dhe e ka zbritur poshtë pranë Shkollës së Bashkuar dhe e ka hedhur në tokë.
Celulari është gjetur nga një taksist, i cili ka vajtur dhe e ka shitur në një pikë për tregtimin e celularëve. Pronari i servisit të celulareve e ka ndezur dhe e ka përdorur për punën e tij, organi i akuzës e ka ndjekur me qelizat e celularit ka shkuar dhe e ka gjetur. Kjo ka bërë që taksisti të thirret për dëshmi. Ai ka rrëfyer se e ka gjetur në rrugë dhe e kishte shitur për 10 mijë lekë. Sipas burimeve, gjithçka përkon me pamjet filmike dhe qelizat e celularëve të autorit dhe viktimës.



