
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi jep një mesazh për studentët dhe pedagogët për fillimin e vitit akademik 2022-2023, ndërkohë që pedagogët vijojnë prej javësh protestën, ku kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, mes tyre rritjen e pagës.
Kushi e nis mesazhin me një urim përzemërt për një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm për të gjithë.
Ministrja ndan disa fjalë edhe për pedagogët, të cilëve iu shpreh respektin dhe mirënjohjen maksimale për punën dhe përkushtimin në formimin e profesionistëve të së ardhmes.
E në këtë fillim viti akademik, kam besim që ne do t’i rrisim më tej përpjekjet dhe bashkëpunimin për të bërë më të mirën për studentët tanë, por edhe për të rritur performancën në të gjitha aspektet akademike e universitare, në funksion të zhvillimit të vendit.
Mbështetja jonë edhe për ju do të vazhdojë pa u ndalur. Urime dhe suksese të gjithë bashkë.
Ndërkohë një mesazh të veçantë Kushi e ndan për ata që ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve, duke i përgëzuar që pas përfundimit me sukses të shkollës së mesme, kanë zgjedhur të hedhin hapa të mëtejshëm në rrugëtimin drejt dijes.
Ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur çdo familje, përfshirë edhe familjet tuaja, për të zbutur sa më shumë efektet e krizës së çmimeve.
Por mbështetja jonë për ju nuk ndalet këtu. Këtë vit kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare.
Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve të akomodimit në rezidencat studentore, si në kryeqytet ashtu edhe në qytete të tjera universitare.
Kemi forcuar bashkëpunimin edhe me bashkitë, vetë universitetet dhe donatorë të ndryshëm, që infrastruktura universitare kudo në Shqipëri të ofrojë standardet më të mira bashkëkohore.
Dua t’ju falënderoj me zemër që keni vendosur të studioni në Shqipëri, duke i besuar ndër të tjera edhe procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve.
Ky proces do t'i japë edhe më shumë cilësi dhe vlerë diplomës suaj, duke u afruar më shumë me universitetet më prestigjoze evropiane e botërore.
Ne do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht që ju të keni alternativa të reja cilësore studimi këtu, me qëllim që pas studimeve të integroheni sa më shpejt në tregun e punës e të jepni sa më shumë kontribut për Shqipërinë tonë të dashur.
Ne kemi nevojë për ju! Vendi ka shumë nevojë për ju!



