
Situata me zjarret në vendin tonë vijon të jetë problematike, ndërsa flakët rrezikojnë të afrohen në zonat e banuara.
Lidhur me situatën e zjarreve në Qarkun Shkodër, në një lidhje me skype në studion e lajmeve në MCN TV, Prefektja e këtij qarku Majlinda Angoni është shprehur se për momentin gjithçka është nën kontroll por për shkak të erërave të forta situata mund të ndryshojë. Sipas saj më problematike zjarret vijojnë të mbeten në fshatin Flet dhe Kurora e Tërbunit.
Ndërsa lidhur me dëmet e shkaktuara nga zjarret deri tani Angoni theksoi se ende nuk mund të nxjerrin një bilanc pasi flakët janë aktive, pasi shumë sipërfaqe me pisha dhe ha janë djegur.
Situata në qarkun e Shkodrës nuk është shumë e kënaqshme, megjithatë mjafton të jetë e menaxhueshme. Problematike më shumë paraqiten fshati Flet dhe Kurora Tërbunit ku edhe pse zjarret janë vënë nën kontroll, për shkak të erërave të forta po precipiton pak situata duke nxjerr jashtë kontrollit ndihmën e helikopterëve. Në vendngjarje janë të gjitha strukturat, populli, administrata e bashkive, banorët e njësive administrative dhe ajo që është e garantueshme është se është arritur të izolohet flaka për të mos kaluar në fshatin Kryezi.
Në fshatin Fletë është vështirë për të ndërhyrë nga ajri për shkak edhe të linjave të tensionit të lartë kështu që po mundohemi me çdo mjet dhe kusht ta menaxhojmë dhe po e monitorojmë. Situata paraqitet e ndryshme nga momenti në moment për shkak të erërave. Janë disa sipërfaqe hektarë me pisha dhe ha të përfshira nga flakët, por dëmi do të shihet më pas, sepse kemi të bëjmë me djegie dhe bilanci do shihet pas daljes nga kjo situatë e vështirë.



