Një ngjarje në kufijtë e të paimagjinueshmes ka ndodhur në fshatin Romanat të Durrësit. Tre vëllezër trinjakë kanë humbur jetën, pasi janë asfiksuar dhe djegur në dhomën e shtëpisë së tyre.
Një skenë e denjë për filmat horror, ku në kohën që nëna del nga shtëpia për të shkuar për të marrë vajzat në shkollë dhe babai punonte në një pikë inertesh, shtëpia mbulohet nga flakët duke djegur të gjallë fëmijët. Çuditërisht, nën rrebeshin e shiut është djegur në mënyrë misterioze shtëpia ku ndodheshin trinjakët. E sapo kthyer nga shkolla me dy vajzat, nëna ka parë flakët e zjarrit që po dilnin nga tarraca e shtëpisë. E tmerruar, ajo është futur brenda, por pamja që i ka dalë përpara ka qenë tej kufijve të imagjinueshmes. Tre vogëlushët e saj, qëndronin të palëvizur të mbuluar nga batanijet që kishin menduar se do t’i shpëtonin nga flakët. Më pas janë afruar të afërmit dhe bashkëfshatarët që kanë njoftuar urgjentisht policinë. Në vendngjarja kanë mbërritur me shpejtësi forcat e zjarrfikëseve të Shijakut, por ka qenë tepër vonë. Të tre fëmijët janë gjetur të vdekur dhe më pas janë dërguar në morgun e qytetit. Nëna ka rënë në gjendje shoku psikologjik, në një kohë që një heshtje e rëndë ka pushtuar të gjithë fshatin Romanat dhe më tej. Ndoshta kjo ka qenë tragjedia më e madhe që ka rënë në këtë zonë.
Ngjarja
Në lidhje me ngjarjen e rëndë është prononcuar dhe policia e Durrësit. Burime zyrtare nga kjo polici kanë bërë të ditur se në fshatin Romanat, rreth orës 17:30 të ditës së mërkurë në banesën e shtetasit Gëzim Konçi, janë gjetur të vdekur për shkak të një zjarri tre fëmijë trinjakë. Sipas policisë, nga hetimet e para dyshohet se shkaku i vdekjes së fëmijëve në kohën kur nuk ka pasur njeri në shtëpi, ka qenë zjarri që ka rënë në banesë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë. Me kujdes po hetohet në lidhje me shkaqet e rënies së zjarrit, ndonëse mungesa e ndriçimit dhe dëshmive e kanë vështirësuar hetimin. Ka disa pista ku po hetohet për momentin në lidhje me shkaqet e zjarrit. Një nga pistat është ajo e djegies nga pakujdesia, ku fëmijët mund të kenë qenë duke luajtur me objekte që shkaktojnë zjarr si shkrepëset apo diçka tjetër. Në fakt dhe burime nga ISHTI kanë bërë të ditur se kjo pistë është më e mundshmja, pasi nuk ka pasur ndonjë rrjedhje gazi në banesë. Ndërkohë, pista të tjera të mundshme janë dhe ato të ndonjë shkëndije elektrike apo për shkaqe natyrore. Nuk përjashtohet mundësia që vetëtimat që po binin furishëm në ato momente të tragjedisë, të kenë goditur banesën dhe dhomën ku ndodheshin trinjakët.
Fshati pranë familjes pas tragjedisë
I gjithë fshati Romanat ka qenë pranë familjes Konçi pas tragjedisë. Një shtëpi e djegur totalisht, ku duken gjurmët e pasojave të tmerrshme. Në një dhomë të vogël të banesës, ndodheshin shenjat e pasojave të djegies fatale. Divanë të shkrumbuar, perde të djegura, batanijet të nxira dhe era e rëndë e vdekjes. Shtëpia në errësirë, ka hapur dyert e mortit, pasi i gjithë sistemi elektrik ishte djegur. Njerëzit e kanë të pamundur të thonë diçka pasi tragjedia ka përmasa të papërballueshme. Tre trupat e fëmijëve janë nisur në morg, në një kohë që dy familjarët janë mbytur nga zija e rëndë që ju ka rënë.
Dëshmitë
Një prej fqinjëve tregon se zjarri ka përfshirë në mënyrë të papritur banesën dhe ata e kanë pasur të pamundur që të ndërhynin për të shpëtuar fëmijët pasi dera e portës së jashtme dhe shtëpisë ka qenë e mbyllur me çelës, pasi nëna kishte shkuar në shkollë për të marrë dy vajzat. Pasi ishte larguar ajo kishte mbyllur dyert me çelës për të siguruar fëmijët. Në këto momente, tre fëmijët që ishin vetëm 3 vjeç, kanë luajtur me çfarë kanë gjetur në dhomë. Sipas ISHTI, dyshohet që fëmijët të kenë ndezur shprese në dhomë, duke bërë që flaka të përpijë fillimisht divanët, përbërje e të cilëve është sfungjeri. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /Shekulli



