Vaksina anti-Covid e prodhuar nga Kompania e Pfizer dhe BioNTech është miratuar për përdorim masiv në Mbretërinë e Bashkuar. Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore(MHRA) ka aprovuar vaksinën për përdorim masiv. Autoritetet në Britaninë e Madhe kanë deklaruar se vaksinimi masiv i popullsisë do të fillojë javën e ardhshme.
Në lidhje me aprovimin e MHRA-së ka folur edhe një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë, i cili është shprehur se pas miratimit të vaksinës, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin do të japë këshillat e tij të fundit për grupet që do të marrin vaksinën të parët.
MHRA iu dha fuqia për të aprovuar vaksinën nga qeveria nën rregullore të veçanta para 1 Janarit, kur ajo do të bëhet plotësisht përgjegjëse për autorizimin e ilaçeve në MB pas Brexit, thotë theGuardian.
Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer shtoi: "Autorizimi i sotëm i përdorimit të urgjencës në Mbretërinë e Bashkuar shënon një moment historik në luftën kundër Covid-19. Ky autorizim është një qëllim për të cilin kemi punuar që kur kemi deklaruar për herë të parë se shkenca do të fitojë dhe ne e duartrokasim MHRA për aftësinë e tyre për të kryer një vlerësim të kujdesshëm dhe për të ndërmarrë veprime në kohë për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve të MB.
Ndërsa parashikojmë autorizime dhe aprovime të mëtejshme, ne jemi përqendruar në lëvizjen me të njëjtin nivel urgjence për të furnizuar në mënyrë të sigurt një vaksinë me cilësi të lartë në të gjithë botën. Me mijëra njerëz që infektohen, çdo ditë ka rëndësi në garën kolektive për t'i dhënë fund kësaj pandemie shkatërruese. "
Kompania “Pfizer” tha se dozat e para do të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar në ditët e ardhshme. Britania e Madhe i ka blerë 40 milionë doza të vaksinës në fjalë, e cila gjatë testimit ka shfaqur efikasitet 95 për qind.
Ndonëse vaksina duhet të ruhet në kushte të veçanta, në temperaturë -70 gradë, kompanitë që e kanë zhvilluar atë kanë thënë se ajo mund të mbahet deri në pesë ditë edhe në frigoriferë të zakonshëm, në temperatura nga 2 deri në 8 gradë.
Sipas rezultateve të testimit njerëz, kjo vaksinë është njësoj efektive si te të rinjtë, ashtu edhe te personat mbi moshën 65-vjeçare, të cilët janë më së shumti të rrezikuar nga koronavirusi. Vaksina ka vepruar njësoj edhe te personat me gjini, racë dhe etni të ndryshme.



