Ish mbreti i Spanjës Juan Carlos, i cili u largua nga vendi i tij mes një skandali të madh në gusht, ka paguar një faturë me taksat e prapambetura, vlera e së cilës shkon mbi 678,000 euro.
Kjo faturë në adresë të ish mbretit të Spanjës sipas avokatëve të tij përfshin interesat dhe gjobat.
Në një deklaratë zyrtare, avokatët nuk dhanë detaje se për çfarë shërbenin taksat e prapambetura, por gazeta El Pais ka deklaruar se ish-monarku kërkoi të zgjidhte disa transaksione të dyshuara të paligjshme të kartave të kreditit me shërbimin e të ardhurave, për të shmangur akuzën në një hetim dhe për të qenë në gjendje të kthehej në Spanjë.
"Në çdo rast, Madhëria e tij Mbreti Juan Carlos mbetet, si gjithmonë, në dispozicion të Shërbimit Tatimor për çdo procedurë që e konsideron të nevojshme," thanë avokatët.
Prokurorët në Gjykatën e Lartë të Spanjës kanë hapur hetime të reja lidhur me bizneset e Juan Carlos, përfshirë ato që lidhen me një kontratë treni me shpejtësi të lartë në Arabinë Saudite.
Juan Carlos ka jetuar në Emiratet e Bashkuara Arabe që kur u largua nga Spanja. Përmes avokatëve të tij, ai ka refuzuar vazhdimisht të komentojë mbi akuzat për korrupsion. Monarkët spanjollë kanë imunitet gjatë mbretërimit të tyre por abdikimi i Juan Carlos në 2014 në favor të djalit të tij potencialisht e lë atë të prekshëm nga ndjekja penale.



