Konsiderohet në letër një ndeshje e lehtë kjo e sotmja ndaj San Marinos dhe sipas gazetarit të sportit në MCN TV, Edi Hajdini nuk diskutohet 3 pikshi me këtë skuadër.
I ftuar në studion e lajmeve të MCN TV, Hajdini tha se “San Marino nuk është ekip i dobët, por më i dobëti”, por pavarësisht kësaj trajner i kombëtares Edi Reja ka deklaruar se nuk do të eksperimentojë.
Shqipëria aktualisht është në vend të katërt, por skenarët për t'u renditur qoftë në vendin e dytë janë ende në lojë.
Intervista e gazetarit Edi Hajdini në MCN TV:
Edi, përvoja ka treguar se me ekipet e vogla kemi hasur vështirësi. Çfarë duhet të presim sot?
Hajdini: San Marino nuk është ekip i dobët, por më i dobëti. Mund të them që ka 45 ndeshje radhazi që vetëm humbet dhe nuk diskutohet 3 pikshi me këtë skuadër. Por, Reja tha se nuk do të eksperimentojë dhe në portë do të jetë Strakosha, 3 mbrojtës dhe pjesa tjetër do të synojë golin përpara. Në dy ndeshjet e fundit San Marino ka pësuar 8 gola, e përbashkëta me këtë skuadër është se kemi trajner italianë.
Cilat janë sfidat e tjera të grupit dhe me cilin skenar do të duhet të mbajmë vendin e dytë?
Hajdini: Aktualisht jemi në vend të katërt. Anglia me Poloninë ndeshen sot, është një ndeshje e vështirë. Është ende herët dhe skenarët janë disa. Ne jemi në lojë qoftë për vendin e dytë apo edhe për atë të parë që është i vështirë.
Në të njëjtën orë do të luhet edhe ndeshja Spanjë-Kosovë. Prej ditësh po flitet për atë takim. Cila është arsyeja?
Hajdini: Kjo ndeshje nuk ka shumë për të thënë. Spanja ka objektiv titullin për Kupën e Botës, ndërsa Kosova objektiva të tjera. Aty ku ndërhyn politika bën që çfarë të mos dëgjojmë dhe këtu harrohet një pjesë kryesore ku FIFA dhe UEFA kanë nënshkruar një marrëveshje ku secila skuadër respekton marrëveshjen dhe çështjet si himni i kombëtares nuk diskutohen.



