Feja dhe ndikimi i saj në kulturën shqiptare ishte një nga temat e trajtuara sot në MCN Informacion. Kritiku dhe analisti Agim Baçi thotë se përgjatë historisë botërore janë disa momentet kur besimi është zhvendosur qëllimisht në periferi.
Që në mesjetë, qëkur modernët dolën në pah tentuan dy gjëra që të bënin të mundur filozofinë e tyre: të çonin në periferi të shoqërisë traditën dhe besimin. Sepse përndryshe çdo lloj gjëje që do të hynte në raport komunikimi do të ishte shumë e vështirë. Donte të sillte një lloj tjetër të menduari, racionalizmin. Kjo lloj beteje ka kohë, është e përbotshme. Ishte edhe postmodernizmi, që vuri në dyshim çdo të vërtetë universale dhe futi atë kaosin që kemi sot që të vërtetat janë kaq të diskutueshme.
Duke u ndalur në konfliktet e Lindjes së Mesme, Baçi tha se nuk mund të flitet për përplasje qytetërimesh.
Thelbi i konflikteve në Lindjen e Mesme është ndarja me vizore e Francës dhe Britanisë në 1948, që i kanë pasur koloni. Ata shpërfillën traditat, historinë, por rezultoi që popujt nuk bëhen me vizore. Kemi rastin e ish-Jugosllavisë, që rezultoi e montuar.
Edhe vendet atje, konfliktin e kanë të hershëm. Nëse këto vende është më i theksuar raporti i ndasive që kanë, unë mendoj se nuk ka përplasje qytetërimesh. Është paradoks të thuash përplasje qytetërimesh. Përplasja vjen kur dikush kërkon ta poshtërojë tjetrin. Askush nuk mund të pretendojë se dikush ka një kulturë superiore mbi tjetrin. Deri në një moment kur Orienti ishte i zhvilluar, Perëndimi e imitonte. Kur Perëndimi u bë i zhvilluar, atëherë Orienti nisi ta imitojë.
Feja thotë mos vidh, mos vrit. Nuk ka dhunë në fe, nuk funksionon. Në historinë 23-vjeçare të zbritjes së Kuranit, profeti ka bërë 2 muaj luftë. Dy herë ka qenë për vetëmbrojtje. Është një koncept që nuk ka humbur kurrë.
Baçi u ndal edhe te libri “Ulku dhe Uilli” i shkrimtarit Vath Koreshi. Ai tha se në vepër ngrihen pyetje të cilat të gjithë ne ia bëjmë vetes. Baçi gjen ngjashmëri të Koreshit me Kutelin në këtë libër, jo vetëm për shkak të gjuhës së kohës po edhe për mesazhet që përcjellin.
Ajo që ka Vath Koreshi në këtë vepër është universale. Personazhet janë dy vëllezër që ngjajnë si pika uji. Për mua janë një njeri i ndarë në dy tipare, e mira dhe e keqja. Pra kush do të triumfojë. Ajo që ushqejmë ne. Njeriu nuk është qenie e përsosur. Njeriu është brenda gabimeve të veta. Është kaq universale. Ka një ngjashmëri deri diku me “E madhe është gjëma e mëkatit”. Kjo lloj proze vjen me gjuhën e kohës dhe emrat gjithashtu.
Libri nis me një ngatërresë që bëjnë personazhet. Nuk është rastësi për të kuptuar raportin e ngjashmërisë. Jemi shenjtori apo mëkatari? Janë pyetje që Koreshi me një stil interesant ka arritur t’u përgjigjet. Në fund, njeriu ndeshet me fuqinë e madhe të faljes. Kur jemi ne më të fortë brenda vetes, kur falim apo kur godasim. Pavarësisht së vëllai merr gjithë mëkatet e vëllait tjetër, vetë meditimi, dyshimet, njerëzit krijojnë një raport shumë të fortë. Libri nis me një ngatërresë që ka ndodhur në kishë. Edhe libri u ngjet dokumenteve. Prifti tregon anën njerëzore ku mëkati dhe ndëshkimi rrotullohen aty.
E sugjeroj si një libër që duhet lexuar sepse i ka pikëpyetjet që i lindin secilit prej nesh.



