
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, zv.Kryeministri Arben Ahmetaj, sqaroi propozimin e Kryeministrit Edi Rama për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për gjithë ato familje që konsumojnë mbi 700 kilovat në muaj.
Zëvendës Kryeministri deklaroi se do të paguajnë më shumë ato familje që konsumojnë 700 kilovat e sipër, ndërsa familjet që konsumojnë më pak, për të cilat tha se janë shumica, nuk iu ndryshon çmimi.
Shumica dërrmuese e çmimeve nuk ndryshon! Familjet që mendohet se kanë të ardhura më shumë se familjet normale, do trajtohen me progresivitet.
Qytetarëve të këtij vendi, ata që kanë harxhim normal energjie me të ardhura mesatare dhe të ulëta, nuk do iu rritet çmimi me asnjë cent. Kjo qeveri do vazhdojë t’i subvencionojë ata dhe biznesin e vogël.
Edhe për ato 7500 biznese të mesme do i subvencionojmë në një nivel tjetër. Nëse do i kishim lënë në mëshirë të tregut, ata do paguanin 34 lekë, ndërsa sot paguajnë 18 lekë.



