Shoqëria “Kayo” nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë italiane Fincantieri për prodhimin e mjeteve detare në Pashaliman.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, Presidentin e “Fincantieri”-t, Pierroberto Folgiero, si dhe përfaqësues të lartë të industrisë.
Ministri i Mbrojtjes Nufi, theksoi se ky bashkëpunim sjell vlera të shumta strategjike për vendin.
“Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike që arrihen. Shqipëria bëhet një bazë e re europiane e “Fincantieri- t” për anijet e vogla dhe të mesme. Fincanteri zgjeron kapacitetin prodhues në Shqipëri dhe “Kayo” pozicionohet si një partner i besueshëm industrial me një arkitekturë ndërkombëtare. Modeli i biznesit është që mbi 90% e klientëve janë ndërkombëtarë, klientë ekzistues të “Fincantier-it” – u shpreh Ministri Nufi.
Kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit, teksa theksoi se kjo nismë do të sjellë inovacion dhe teknologji të përparuar në vend.
Dhe nga ana tjetër, kjo marrëveshje hap rrugën dhe për një diskutim të ri të natyrës ekonomike si për Fincantieri-n ashtu edhe për Kayo-n, për Shqipërinë sepse siç thashë sigurisht do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e shoqërisë në mënyrë konkrete nga dy anijet e para që do të ndërtohen për Forcat tona të Armatosura dhe që do të çojnë në shtatë numrin total të flotës tonë, e cila në termat e përcaktuara nga statusi jonë madhor, po sigurisht dhe me NATO-n është një numër optimal, përsa i përket peshës dhe përgjegjësisë së Shqipërisë në Mesdhe dhe më pas sigurisht prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ku sigurisht është e qartë që teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojë këtë rrugëtim, do të implementohet.



