Situata në veri të Republikës së Kosovës i është rikthyer normalitetit. Përmes një njoftimi policia e Kosovës bën me dije se rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak që lidhin Kosovën me Serbinë janë të lira për qarkullim.
“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dy pikat kufitare ishin të bllokuara prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës mori vendimin për zbatimin e masës së reciprocitetit për targat e makinave të regjistruara në Serbi.
Ndërkohë vetëm pak ditë më parë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.



