Ish-drejtuesi i lartë i policisë, Shemsi Prençi, për zbulimin e 27 serave me kanabis sativa në Malësi të Madhe, thotë se nuk janë zhdukur asnjëherë.
Serat në Malësi të Madhe nuk janë hequr asnjë ditë në 365 ditë. Lezha, Kruja, Malësia e Madhe, Durrësi të gjithë kanë sera me kanabis në 365 ditë të vitit. Edhe shtëpitë e barit.
Nga studio e MCN Live, operacionin e fundit ai nuk e cilësoi si zbulim të policisë së Malësisë së Madhe, por tha se goditja është bërë me drejtim nga qendra, pasi policia e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe e ka kompromisin me të gjitha grupet kriminale që merren me kultivimin e bimëve narkotike.
Krateri ku u gjetën serat, në vijë të drejtë nuk është më larg se 1 kilometër nga komisariati. Është afër rrugës nacionale, kullosin bagëti. Nuk bëhet pa bashkëpunim me policinë.
Kush e merr këtë kosto? Të gjitha zonat që kanë pushtetarë dhe deputetë potencialë. Edhe në zonën e Kashnjetit në Lezhë, po nuk raportuan grupet kriminale njëra tjetrën, atje lulëzon jo me 8 mijë, me 800 mijë rrënjë.
Zona ku kufizohet Mirdita me Lezhën, ka kultivim të përvitshëm dhe atë e dinë të gjithë. Angazhohen struktura të policisë së shtetit dhe policisë private për t’i ruajtur.
Ne nuk marrim nga Kolumbia hashash, është prodhim vendas.
Grupet kriminale e preferojnë shumë hashashin që prodhohet në Shqipëri, rajoni i Malësisë së Madhe, Lezhës, Krujës, për shkak të terrenit, krahasohet me atë të Lazaratit.
Sipas tij, botën e krimit dhe arbitraritetit e frymëzon qeveria me qëndrimin e saj.
Ai ngriti pikëpyetje se çfarë të dhënash japin satelitët për kultivimin e kanabisit dhe pse dronët nuk përdoren nga Policia e Shtetit.
Prençi tha se kultivimin e 8 mijë bimëve narkotike, nuk guxon njeri ta marrë përsipër pa mbështetjen e policisë dhe politikës.
Ai e cilësoi si hipokrizi që të futet në burg ministri i Brendshëm dhe të jetë i lirë Drejtori i Policisë së Shtetit.
Policinë e Shtetit nuk e drejton Muhamet Rrumbullaku, edhe pse me ligj po. Se nuk e lënë të bëjë asgjë.
Lidhur me pezullimin nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të të gjithë shefave të krimit ekonomik, në të 12-të Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, e cilësoi si vendim politik dhe jo të marrë nga Rrumbullaku.
Garantoj me siguri të plotë nëse çdo ditë do të hidhet në terren për verifikimin e territorit, çdo ditë do të gjejmë sera dhe shtëpi bari. Bimë narkotike ka në të gjithë kodrat e Tiranës.
Sidomos në vitin elektoral, referojuni vitit 2015-2016 kur arriti kulmin kultivimi.
Në vitin 2019, tonelatat në shtator-tetor kaluan ato të 216-ës, edhe pse nuk u mor kush për shkak se u morën me opozitën dhe mos futjen në zgjedhje.
Ai shtoi se “në perimetrin e Bermudës”, në Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan, ka poligone ku stërviten ditën dhe natën dhe Prençi ngriti pikëpyetje se si është e mundur që policia nuk ngre një strukturë e posaçme.
Në këtë drejtim ai tha se policia hesht ndaj elementëve ordinerë.



