
Në Njësinë Nr.10 në kryeqytet qytetarët patën mundësi që të votonin elektronikisht, pa një fletë votimi, por përmes një pajisjeje kompjuterike.
Por pse edhe për qendrat e votimit të kësaj njësie nuk ka ende një të dhënë për pjesëmarrjen?

Lidhur me këtë shqetësim u pyet në konferencën për mediat nga gazetarët kryekomisioneri Ilirjan Celibashi: “Pse nuk është bërë përqindja e pjesëmarrjes për Njësinë 10 ku çdo gjë është elektronike?”.
Dhe përgjigjja e tij ishte: “Në zonën zgjedhore Nr. 40 janë 32 qendra votimi, normalisht do të duhet të raportonin të 32 qendrat e votimit. Ka raportuar vetëm një pjesë e atyre qendra votimi dhe bazuar nga kjo del përqindja”.
Kjo pyetje u shtrua më herët nga të ftuarit në emisionin ‘Të paekspozuarit’ në MCN, ku gazetari i Ekonomisë, Klodian Tomorri, u shpreh se pavarësisht se pajisjet për identifikimin dhe votimin elektronik kanë kushtuar 20 milionë dollarë, qytetarët ende nuk dinë se sa ka qenë pjesmarrja në zgjedhje, dhe sipas tij kjo vonesë mund të jetë për të lejuar që njerëzit në terren të bëjnë punën.
“Tenderi për identifikimin dhe votimin elektronik ka kushtuar 20 mln dollarë, tender pa garë me negocim me dyer të mbyllura dhe sot ne jemi në momentin ku ora po shkon 10 dhe ne nuk dimë akoma pjesmarrjen në zgjedhje. Kjo vonesë nuk krijon mundësi manipulimi por taktikë për të inkurajuar njerëzit në terren për të bërë punën. Partitë që ndjejnë se nuk janë të kënaqura përpiqen të mbajnë infoirmacion deri në minutën e fundit”, tha Tomorri.
Sipas këtij votimi, fillimisht bëhet identifikimi biometrik i qytetarëve të cilët do të votojnë, e më pas përzgjedhja e tyre për partinë dhe kandidatët bëhet elektronikisht në një pajisje të posaçme.



