
Zbardhet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër, ku u plagos me armë zjarri shtetasi Selami Brahimi, duke u arrestuar në Gjermani autori i dyshuar.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit Selami Brahimi, të kryer më datë 8 shkurt 2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin Suljeman Kapllani.
Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit.
Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi Sulejman Kapllani, 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Shtetasi Sulejman Kapllani dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin Selami Brahimi, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Ndaj shtetasit Sulemjan Kapllani, Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sqarohet se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.
Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë dhe autorë të tjerë të mundshëm të implikuar



