Një incident i ndodhur në shtëpi i ka shkaktuar humbjen e përkohshme të kujtesës presidentit brazilian, Jair Bolsonaro. Ai u rrëzua dhe ra në rezidencën e tij zyrtare në Brazilia.
"Në një moment, unë e humba pjesërisht kujtesën. Të nesërmen, pra këtë mëngjes, unë arrita të rikujtoj shumë gjëra dhe për momentin jam mirë. Por unë nuk e mbaja mend, për shembull, atë që kisha bërë dje", tha presidenti. Presidenti dha një intervistë pasi doli nga spitali ku kishte kaluar natën. "Presidenti Jair Bolsonaro është vizituar nga ekipi mjekësor dhe është autorizuar të dalë me rekomandimin për të pushuar në Palácio da Alvorada", bëri të ditur zyra e shtypit e presidentit.
Presidenti 64-vjeçar goditi kokën, pasi rrëshqiti në tualetin e presidencës dhe "iu nënshtrua një skanimi të trurit, i cili nuk zbuloi asnjë dëmtim". Jair Bolsonaro, i cili mori detyrën më 1 janar 2019, ishte plagosur me thikë në bark gjatë fushatës zgjedhore, në shtator 2018. Që atëherë ai i është nënshtruar katër operacioneve, i fundit në shtator. Kur u pyet për shëndetin e saj, ai tha se ishte "i qëndrueshëm", pa mohuar se ka pasur "pasoja" pas këtij sulmi.



