
Drejtuesi politik i PS në Elbasan, Tualant Balla, foli për media pas takimit me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci, ku tha se duhen siguruar zgjedhje të lira e të ndershme më 25 prill.
Numri dy i PS tha se partia humbëse duhet të pranojë rezultatin, ndërsa i bëri thirrje PD të heqë dorë nga mosnjohja e zgjedhjeve.
“Të jesh i pari në listë nuk është ndonjë përgjegjësi, të jesh te kufiri është marrja e një përgjegjësie. Unë e kam thënë që do doja të isha i nënti në listë. PS e Shqipërisë do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit. Thirrja ime është për PD dhe përfaqësuesin qesharak të Bashës në Elbasan, është që të heqë dorë nga lumi i akuzave që iu bën qytetarëve të Elbasanit”, tha Balla.
I pyetur nga gazetarët për publikimin e të dhënave të qytetarëve, Balla u shpreh se ato nuk ishin të dhënat që ka PS.
“PS është partia më e madhe në vend, sigurisht që ka të dhënat e saj, të dhënat e servirura me pagesë nga një media pranë PD nuk korrespondojnë aspak me të dhënat që disponon PS. Pra, të dhënat e publikuara nuk kanë të bëjnë aspak me të dhënat që ne kemi. Janë të sajuara. Nëse Basha nuk heq dorë, është kukulla në duart e Saliut dhe Ilirit. Nuk merr asnjë vendim”, u shpreh ai.



