
Duke komentuar Samitin dhe protestën që do të zhvillohen në Tiranë, politologu Ilir Kalemaj tha në MCN Live se Rama dhe Berisha do të jenë përfitues neto të asaj çfarë do të ndodhë nesër.
Sipas Kalemajt përplasja nesër është e paevitueshme dhe Ramës i intereson një incident i tillë. Politologu vë në dukje se nga zhvillimet e ditës së nesërme humbet Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë, që janë më pro evropianët në rajon.
Janë dy elementë, rëndësia e Samitit dhe kush përfiton. Rëndësia e Samitit është e jashtëzakonshme. Rëndësia e këtij Samiti është për shkak të vendit, të rajonit vet, dhe luftës Rusi-Ukrainë. Serbia është i vetmi vend që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe u desh mbledhja e Këshillit Evropian që e targetoi Serbinë dhe tha se çdo vend që është aspirant për në BE duhet t’i vendos sanksione Rusisë. Për këtë arsye s’mund të ishte në Beograd. S’mund të jetë në Podogoricë se ka luftë mes faktorit pro evropian dhe serb. S’mund të jetë në Bosnjë, s’mund të ishte ne Maqedoninë e Veriut. Rama dhe Berisha janë përfitues neto të cfarë do ndodhë nesër. Vlen të theksohet se z.Rama duke vendosur shtetrrethim në Tiranë në mënyrë të paprecedentë…
Ramës i intereson sepse do ketë paevitueshmërisht një lloj përplasje. Ose Berisha do tërhiqej dhe do ishte disfatiste. Rama është shahist, e kishte parashikuar këtë lëvizje. Nëse do tërhiqej, sërish do ishte fitore për Ramën. Ramës i intereson ky incident. I thotë Perëndimit shiko me çfarë kanibalësh politik, me çfarë ultra nacionalist, çfarë halli kam unë. Nëpërmjet këtij ekuacioni mbajnë njëri-tjetrin në lojë. Sa më antagoniste të jetë situata, fuqizojnë njëri-tjetrit. Humbet Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë. Ky është një rast i mirë që të evidentojmë vlerat tona pro evropiane dhe pro perëndimore. Shqiptarët e kanë 94 për qind mbështetjen pro BE. Shqiptarët janë populli më pro evropian, më pro NATO në rajon”.
Të dy palëve u intereson të prodhohet kjo gjë (incidenti). Berishës i intereson të thotë u bë shtetrrethim, është dhunë ndaj fjalës së lirë. Nëse ka pak veta në protesta për të ka pak rëndësi sepse rrugët i bllokoi qeveria. Rama është i fituari i madh, duke thënë që kam një opozitë dekonstruktive, anarshiste, e paaftë për të ardhur në pushtet.



