Nga qelia, nëpërmjet avokatit të tij, disa ditë pas përfundimit të afatit të komisionit hetimor parlamentar për koncesionet në Shëndetësi, ish-ministri Ilir Beqaj ka akuzuar opozitën për dështimin e dëshmisë së tij, duke paralajmëruar se atë do e ezaurojë në Gjykatë.
Ky komision nuk dështoi thjesht për shkak të keqmenaxhimit apo kapriçove personale, por edhe sepse u kthye në një simbol të shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut dhe të njëanshmërisë së dukshme.
Një proces që duhej të synonte të vërtetën dhe transparencën përfundoi duke zhgënjyer gjithë publikun. Kjo nuk ishte një shfaqje drejtësie; ishte një shfaqje turpi, dhe historia nuk do ta harrojë këtë precedent të rrezikshëm.
Ndërkohë, për ata që e njohin të vërtetën dhe e kuptojnë drejtësinë, ky komision mbetet një shembull i qartë se si arroganca dhe frika përballë së vërtetës mund të shkatërrojnë procesin demokratik.
E ardhmja kërkon më shumë profesionalizëm, respekt për të drejtat dhe një përkushtim të vërtetë ndaj të vërtetës, përndryshe do të vazhdojmë të shohim dështime të tilla, të mbuluara nga pretendime për "suksese".
Pavarësisht pengesës që hasëm, ne do vazhdojmë të kërkojmë tani prezencën e medias në seancat gjyqësore dhe ju ftojmë që dhe ju të insistoni në këtë drejtim.
Avokati Ermal Yzeiraj ka justifikuar edhe ndërhyrjen e Beqajt në komision hetimor që solli dhe mbylljen përfundimtare të tij, ndërsa pohoi se kishte edhe negociata mes palëve për mënyrën e prezantimit, por opozita nuk pranoi.
A u tregua z. Beqaj i nxituar? Jo, absolutisht jo. Momenti kur ai ndërhyri ishte fundi i gjithë veprimtarisë së komisionit dhe jo thjesht fundi i një seance të tij.
Me mbylljen e komisionit, z. Beqaj humbi përfundimisht mundësinë për të dëshmuar dhe për t'u përballur dhe për t'u mbrojtur ndaj akuzave që i ishin bërë. Ai e kuptoi se ajo ishte mundësia e fundit për të folur, dhe reagoi.
Mbase gjatë dy ditëve të punimeve të komisionit ka patur negociata ndërmjet palëve për zgjidhjen e ngërçit ku ishte futur komisioni, por unë si avokat u përfshiva në negociata vetëm në fazën përfundimtare, rreth orës 10:00 të darkës të ditës së fundit. Jo drejtpërdrejtë por përmes ndërmjetësve.
Sipas avokatit, Ilir Beqaj nuk ka kërcënuar asnjë deputet të opozitës, por këta të fundit e përdorën si kartë për të justifikuar kaosin dhe dështimin e komisionit hetimor parlamentar, ndërsa vetë ish-ministri i Shëndetësisë ishte i gatshëm për çdo moment të dëshmonte.



