
Njoftimi i fundit i Gazprom për të reduktuar më tej flukset përmes gazsjellësit Nord Stream 1 është një "hap i motivuar politikisht", tha të martën Komisioneri Evropian për Energjinë Kadri Simson, përpara një takimi me ministrat e energjisë të BE-së në Bruksel.
"Nuk ka asnjë arsye teknike për ta bërë këtë. Ky është një hap i motivuar politikisht dhe ne duhet të jemi gati për këtë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ulja parandaluese e kërkesës sonë për gaz është një strategji e mençur", tha Simson.
Të hënën, kompania shtetërore ruse e energjisë tha se do të reduktojë më tej rrjedhat e gazit përmes tubacionit Nord Stream 1 nga e mërkura, pasi ndalon një tjetër turbinë për riparime. Tubacioni është një arterie jetike që lidh rezervat e mëdha të gazit të Rusisë me Evropën nëpërmjet Gjermanisë.
Kapaciteti ditor nga "7:00 e mëngjesit (me orën e Moskës) 27 korrik do të jetë deri në 33 milionë metra kub," tha kompania në një deklaratë. Nord Stream 1 ka një kapacitet prej rreth 160 milion metra kub në ditë.
Simson tha se njoftimi i Gazprom "nënvizoi edhe një herë se ne duhet të jemi gati për shkurtimet e mundshme të furnizimit nga Rusia në çdo moment".
"Ne duhet të kujdesemi për gatishmërinë tonë; ne duhet ta trajtojmë këtë krizë tani dhe së bashku. Dhe duke e bërë këtë, ne do të reduktojmë kërkesën tonë paraprakisht," vazhdoi ajo.
Simson shtoi se ajo pret që ministrat e BE të kenë "një marrëveshje politike" deri në fund të së martës.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian paraqiti planin e tij për të reduktuar përdorimin e gazit në Evropë me 15% deri në pranverën e ardhshme.



