Një person është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka mashtruar klientët e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, duke mos u riparuar automjetet për të cilat ishte paguar dhe duke tentuar edhe t'i shiste ato.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar "Skema", të zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas kallëzimeve të disa qytetarëve.
Sipas Policisë, i arrestuari është shtetasi M. H., 37 vjeç, pronar i një servisi automjetesh. Nga hetimet janë dokumentuar 6 raste mashtrimi, ndërsa dyshohet se ai, përveçse nuk ka kryer riparimet për të cilat ishte paguar, në disa raste ka tentuar të shesë automjetet që klientët i kishin lënë në servis.
Gjatë operacionit u sekuestruan 5 automjete të gjetura në ambientet e subjektit, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.



