
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është në fazën finale të ngritjes së strukturës së re antikorrupsion, SPAK. Ngritja e strukturës së re në kuadër të reformës në drejtësi është vonuar për shkak se 5 prokurorë nga 15, nuk kanë kaluar ende në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), ndërsa 2 prej tyre ndodhen në Kolegjin i Posaçëm të Apelimit (KPA). Në këto kushte, KLP-ja do të duhet të gjejë një hapësirë ligjore, që i hap rrugën funksionimit të kësaj njësie me 10 anëtarë deri në plotësimin e numrit prej 15 prokurorësh.
Për të zgjidhur këtë ngërç, KLP po shikon mundësinë që dy vendet të plotësohen me prokurorë me caktim të përkohshëm, të cilën e kanë kaluar vetingun me vendim të formës së prerë dhe kanë qenë pjesë e listës së kandidateve për prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK). Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, gjatë një takimi në Prokurorinë e Përgjithshme me Jorgan K. Andrews, zv.nd.sekretari amerikan i Shtetit në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, e njohu atë me strategjinë e vënies së më shpejt në funksion të SPAK-ut. Andrews theksoi mbështetjen e SHBA-së, ndërsa shtoi se kjo e fundit është e ndërgjegjshme për presionin me të cilin përballet KLP në këtë proces.
“Do të vazhdojmë t’ju ofrojmë asistencën tonë gjatë punës tuaj. Pa dyshim, jemi të ndërgjegjshëm për presionin me të cilin përballet KLP-ja këto kohë, por jam i bindur gjithashtu se Këshilli do të marrë vendimet e duhura dhe jemi të vendosur t’ju ofrojmë mbështetjen tonë në mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve të SPAK-ut. Keni ngritur një bazë ligjore të fortë për institucionet e reja të drejtësisë, e aftë të mbajë larg korrupsionin dhe presionin e politikës mbi këto struktura”, është shprehur Andrews.
Jorgan K. Andrews është caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe mbikëqyr programet e kësaj byroje në Europë, Azi, përfshirë edhe Afganistanin dhe Pakistanin. Krahas tij, në takimin e sotëm me kreun e KLP-së ishin edhe Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, dhe përfaqësues të OPDAT-it. Takimi vjen një ditë pasi mbledhja e radhës e KLP-së, ku pritej të vendosjes ngritja e prokurorisë së posaçme, u shty me kërkesë të anëtarit Besnik Cani, i cili pretendoi se është njohur me vonesë me materialet.



