Shqipëria “ura e re” e emigrantëve sirianë dhe iranianë drejt BE-së (VIDEO)

Shqipëria “ura e re” e emigrantëve sirianë dhe iranianë drejt BE-së (VIDEO)

Këtë vit duket se Shqipëria është kthyer në rrugë të re tranzitore për emigrantët nga Siria dhe Irani për të depërtuar në Bashkimin Europian. Ndërkohë, ka nga ata emigrantë, të cilët e shohin vendin tonë si ideal për të qëndruar. I tillë është kampioni i arteve marciale nga Irani Aliriza Hajaloo, i cili thotë për Tema Tv se synon të bëhet kampion bote i arteve marciale nën flamurin kuq e zi.

Këta janë tre emigrantët sirianë, të cilët janë kapur nga policia shqiptare së fundmi teksa vinin nga kampi i emigrantëve në Greqi për në Shqipëri dhe më pas drejt Perëndimit.

Muajin e fundit është vënë re një shtim i rasteve të kapjes së emigrantëve të paligjshëm kryesisht nga Lindja e Mesme. Një vit më parë, rruga e preferuar e tyre ishte Greqi-Maqedoni-Serbi dhe drejt Perëndimit, ndërsa këtë vit duket se rruga e tyre ka ndryshuar. Ata hyjnë në Shqipëri, pastaj kalojnë në Malin e Zi dhe më pas në Kroaci. Fshati Verrnik dhe Terstenik në Devoll janë fshatrat e parë që përballen me emigrantët.

Këtë e konfirmojnë edhe banorët e fshatit, të cilët tregojnë disa raste që kanë ndodhur pak javë më parë.

Policia nuk ka pranuar të prononcohet për këtë fenomen, por sipas burimeve, fluksi i emigrantëve nuk është ende në ato nivele sa të konsiderohet problematik. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se Greqisë nuk i intereson që t'i lëshojë emigrantët sirianë, pasi i ndërpriten fondet nga BE-ja.

Ndërsa shumë prej emigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme e shikojnë Shqipërinë si një vend tranzit për të shkuar për në Itali, Gjermani e Francë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me azilkërkuesin Aliriza Hjaloo. Ai është një kampion i arteve parciale dhe ka ardhur para pak muajsh në Shqipëri, por impresioni që i ka lënë Shqipëria ka bërë që ai të vendosë të jetojë në Shqipëri.

"Hera e parë që kam parë që një polic të sillet mirë është Shqipëria. Jam përballur për herë të parë me një polic shqiptar në Kakavijë, kur kalova kufirin nga Greqia për në Shqipëri. Kur i thashë punonjësit të policisë së dua të marr azil në Shqipëri, ai më priti me shumë respekt dhe më tha se mos të mërzitesha dhe çdo gjë do të shkonte në rregull. Polici shqiptar mori bukë nga shtëpia e vet dhe më dha edhe mua dhe hëngri bashk me mua në një tavolinë. E dini ç'do të thotë kjo për mua? Pasi po të isha në Greqi dhe në Iran, policia do më godiste", ka deklaruar azilkërkuesi nga Irani.

Aliriza Hajaloo aktualisht ndodhet në kampin e azilit në Babrru. Ai thotë se në Shqipëri ka gjetur njerëz të mirë, të cilët po e ndihmojnë në stërvitjen e tij dhe nga aspekti human.

"Edhe tani që jam në kamp, jam shumë i kënaqur, i kam ata si familjen time. Kam filluar stërvitjen në Tiranë dhe kam takuar disa njerëz shumë të mirë, të cilët po më ndihmojnë mua si nga ana profesionale, por edhe humane", vazhdoi më tej Hajaloo. 

Emigranti mjeshtër i arteve marciale ka edhe një dëshirë. Ai kërkon që të garojë në këtë sport me flamurin kuq e zi dhe se premton se do të ngrejë flamurin shqiptar në nivelet më të larta.

"Tani kam një dëshirë. Dua që të më jepet mundësia që të garoj me flamurin shqiptar dhe ua garantoj me bindje se do të dal kampion dhe do të ngre flamurin shqiptar në nivelet më të larta", tha Aliriza për mikrofonin e TemA Tv.

E ndërsa emigranti nga Irani pret përgjigje, në Shqipëri janë përhapur lajme se në Shqipëri mund të ndërtohet një kamp për pritjen e emigrantëve nga Lindja e Mesme. Lajmi është përhapur nga mediat e huaja. Një aludim i tillë është hedhur poshtë nga Departamenti i Sigurisë në Kryeministri.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy