Avokati i Popullit ngre shqetësimin e largimit të minorenëve shqiptarë drejt vendeve europiane, një problem i pasqyruar shpesh sidomos në mediat italiane. Në lidhje me këtë fakt, Avokati i Popullit apelon që zgjidhja e vetme e problemit të braktisjes masive të fëmijëve shqiptarë në rrugët e vendeve të huaja, të gjendet te kurimi i origjinës së problemit që e gjeneron këtë fenomen: varfërisë së skajshme, pabarazisë shoqërore dhe mungesës së theksuar të vëmendjes shtetërore për fëmijët dhe shtresat e tjera vulnerabël në vend. Në disa media është njoftuar prania e të miturve shqiptarë të pashoqëruar, në rrugët e Italisë. Edhe më herët (2016), institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësimin për këtë dukuri për të cilën sinjalizon shpesh edhe shtypi apo institucionet e vendeve të prekura. Shpesh, raportohet se menjëherë sapo udhëtojnë në vende perëndimore, kryesisht Itali, prindër të familjeve të varfra shqiptare, i udhëzojnë fëmijët e tyre të mitur që të vetëdeklarohen në mënyrë fiktive si të braktisur dhe të përfitojnë kështu mbrojtje sociale, siç është detyrim ligjor në këto vende të BE-së. Fenomeni përbën një këmbanë alarmi për autoritetet publike shqiptare.
Institucioni i Avokatit të Popullit, vëren me shqetësim se ato që nuk po funksionojnë, janë mekanizmat lokalë për adresimin e kësaj çështjeje komplekse e mbi të gjitha për parandalimin e këtij fenomeni, si dhe për rikthimin e sigurt dhe të mbështetur të fëmijëve pranë familjeve të tyre. Zgjidhja më e mirë e problematikës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojnë asaj të gjitha mjetet e duhura.
Avokati i Popullit është i mendimit se autoriteteve tona qendrore u takon përgjegjësia jo vetëm për mbrojtjen e fëmijëve, por edhe për të shtuar dhe zhvilluar mjetet për përmirësimin e pozicionit të fëmijëve në shoqëri, arsim, kujdes social dhe dalje nga varfëria. Institucionet tona dhe të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë dhe të kuptojmë se interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë prioriteti ynë i përbashkët.
Avokati i Popullit nënvizon se është thelbësore që institucionet tona të tregojnë:
Kujdes dhe mbrojtje ndaj fëmijëve, siç parashikohet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
Standarde më të larta të shendetit dhe akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Të drejtën për arsimim falas dhe të mundësueshëm për të gjithë fëmijët.
Asistencë të veçantë për prindërit dhe kujdestarët ligjorë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre për mirërritjen e fëmijëve



