Deputetja socialiste, Evis Kushi, thotë se objektivi i qeverisë mbetet krijimi i kushteve për rritjen e investimeve të huaja në vend. Në studion e emisionit “Në fokus, Kushi tha se këto investime kanë ardhur duke u rritur pasi Partia Socialiste mori pushtetin në vitin 2013.
“Është investimi për parkun fotovoltaik. Është investim i madh, parku më i madh me energjinë solare në Ballkan. Është një investim i konsiderueshëm që do të japë kontribut në zhvillimin ekonomik. Rritja e investimeve të huaja ka qenë ndër objektivat tona. Po t’u referohemi shifrave zyrtare, pas 2013-s ka ardhur në rritje numri i inevstimeve të huaja direkte në Shqipëri. Mbetet objektivi ynë. Shqipëria ka shumë arsye për të cilat investitorët e huaj kanë interes për të ardhur në Shqipëri. Këto avantazhe që kemi krahasuar me shtetet e vendeve fqinje ne duhet t’i rrisim”, tha ajo.
Sa i takon debatit për rrugën Milot-Fier, Kushi tha se PPP është zgjedhur për shkak të pamundësisë së financimit nga buxheti i shtetit.
“Nuk është skemë që e kemi shpikur ne. Është mekanizëm që përdoret në Europë dhe Amerikë. Rruga në fjalë kushton aq sa buxheti i shtetit nuk e përballon dot. Ne nuk mund t’i lëmë qytetarët të presin”, tha Kushi.



