“Ajo që po ndodh është totalisht e paqartë, por ajo që vlen të theksohet është fakti se vendimi është përfundimtar dhe qeveria shqiptare nuk ka asnjë opsion”.
Kjo është ajo që deklaroi nga studio e lajmeve në MCN TV gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri lidhur me çështjen Beketi dhe opsionet se si do të mbrohet shteti shqiptar për ti shpëtuar faturës 110 milionë euro.
“E para ajo që po ndodh është totalisht e paqartë se po të shohim edhe para zgjedhjeve kryeministri tha se kemi plan që ato para të mos i paguajmë por nuk mund ta zbulojmë dot këtë plan se si do të jetë. Të njëjtën gjë tha dhe avokatja sot në kom e ligjeve duke pranuar se ky është një vendim i apelueshëm, por vendimi është përfundimtar. Por çfarë opsionesh ka shteti shqiptar në këtë pikë? Unë mendoj se nuk kas ndonjë opsion. Ky proces që vazhdon nga 2015 është zgjatur shumë dhe duket që nuk ka për të pasur ndonjë rezultat konkret”, u shpreh Tomorri.
Më tej ai sqaroi se qeveria tentoi ta përdorte ndjekjen penale ndaj Beketit edhe kur dërgoi kërkesën për ekstradim në Interpol, por u kthye mbrapsh pasi nuk paraqiti fakte duke e rrëzuar këtë element që Shqipëria të synonte të anulonte vendimin prej 110 mln euro.
“Ajo që mbetet e pashpjegueshme është pse Beketi nuk kërkon apelimin e këtij vendimi. Nuk ka asnjë hap nga ai për ekzekutimin e atij vendimi. Këtu ndoshta mund të mendohet për ndonjë rrugë apo zhvillim tjetër që mund të marrë konflikti gjyqësor. Pasi pak kohë më parë Beketi përfundoi një gjyq tjetër me qeverinë italiane ku humbi dhe kam përshtypjen se ka një koordinim mes asaj shqiptare dhe italiane për të luftuar në bllok kundër Beketit, por asgjë nuk është zyrtare. Ndoshta kjo mund të jetë ajo që kryeministri e quan një plan”.
Ndërsa i pyetur lidhur me një korrigjim të vendimit se çfarë është kjo, gazetari Tomorri sqaroi se, “Ajo masë është pranimi i vendimit nga ana e Shqipërisë. Ky korrigjim kërkohet kur ka gabime të vogla dhe secila nga palët ka të drejtë të kërkojë korrigjimin pasi mund të jetë bërë ndonjë gabim, por ky hap nuk e ndryshon vendimin përfundimtar të gjykatës dhe gjobën 110 mln eurove”.



