
Qeveria e Finlandës do të zgjasë mbylljen e kufirit të saj të gjatë me Rusinë për dy muaj të tjerë, deri më 14 prill.
Gjithçka pasi nuk sheh shenja se Moska po ndalon “operacionin hibrid” të kanalizimit të emigrantëve drejt kufirit me shtetin nordik.
Finlanda mbylli kufirin tokësor prej 1340 kilometrash në fund të vitit të kaluar, pasi rreth 1300 emigrantë pa dokumentacion ose viza kishin mbërritur përtej kufirit që nga shtatori, një numër jashtëzakonisht i lartë, vetëm disa muaj pasi Finlanda u bashkua me NATO-n.
Shumica e emigrantëve vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, ku pjesa dërrmuese e tyre kanë kërkuar azil në Finlandë, një komb me 5.6 milionë banorë.
Qeveria tha në deklaratën e saj se “emigrimi i instrumentalizuar nga Rusia përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe rendin publik të Finlandës”.
Bazuar në informacionin e dhënë nga autoritetet e kufirit dhe sigurisë, ka gjasa që emigrimi i instrumentalizuar të rifillojë nëse pikat e kalimit kufitar hapen në kufirin lindor.
Ne nuk kemi parë asnjë shenjë se Rusia po ndryshon sjelljen e saj.
Përkundrazi, informacioni që kemi marrë konfirmon vlerësimin tonë se Rusia po vazhdon operacionin e saj hibrid.
Deklarata u bë nga ministrja e Brendshme Mari Rantanen, duke shtuar se kanë arsye të besojnë se kjo situatë do të vazhdojë edhe për disa kohë.
Sipas Rantanen, ka qindra, në mos mijëra emigrantë, të cilët aktualisht po qëndrojnë afër kufirit në anën ruse dhe presin mundësinë për të kaluar në Finlandë.



