
Ermal Meta dhe Fabrizio Moro janë fituesit e Sanremos. Kënga “Non mi avete fatto niente” është shpallur fituese e edicionit të 68-të të festivalit më të madh të këngës në Itali. Në vendin e dytë është renditur Lo Stato Sociale me këngën “Una vita in vacanza”, ndërsa në të tretin Annalisa me “Il mondo prima di te”. “Një emocion i papërshkrueshëm. Ia dedikoj fitoren time shtëpisë diskografike që besoi te mua atëherë kur askush nuk e bënte”, tha Meta.
Meta dhe Moro u shpallën fitues pas pikëpyetjeve që u hodhën mbi origjinalitetin e këngës menjëherë pas prezantimit të saj. Për shkak të ngjashmërisë së tekstit dhe vijës melodike me një këngë tjetër të të njëjtit autor, disa hodhën dyshimet se kënga shkel rregulloren e pjesëmarrjes në garë.
Por pas vlerësimeve të kryera, RAI e ka parë të arsyeshme të mos e përjashtojë nga konkurrimi këngën e këngëtarëve Meta e Moro, duke e konsideruar atë konform rregullores.
“Non mi avete fatto niente”, kënga me të cilën Ermal Meta dhe Fabrizio Moro paraqiten në Sanremo 2018, ka të gjitha karakteristikat e një kënge të re. Kështu është argumentuar vendimi i RAI-t nga drejtori i Rai1, Claudio Fasulo, në një konferencë shtypi. Nuk bëhet fjalë për plagjiaturë, autori është i njëjti dhe rregullorja parashikon që në një këngë të përdoren fragmente nga autorë të tjerë për një total që nuk kalon 30%-shin”, tha ai.
Kjo ishte paraqitja e dytë e suksesshme e Ermal Metës në Sanremo. Vitin e kaluar, ai u rendit i treti në Sanremo me këngën “Vietato Morire”. Meta ka marrë edhe çmimin e kritikës “Mia Martini”. Ai fitoi çmimin Cover, me interpretimin e këngës së hershme të Domenico Modugno-s, “Amara terra mia”.



