Qytetet bregdetare dhe kryeqyteti në Shqipëri janë zonat që joshin krimin të pastrojë para duke investuar në pasuri të paluajtshme dhe aksesorë luksi.
Këtë e bënë me dije SPAK në raportin e tij vjetorë ndërsa emisioni FactCheck sjell një tablo të aseteve të sekuestruara.
Blerja dhe investimi në prona të paluajtshme në Shqipëri kryeson sistemin e pastrimit të parave. Këtë fakt e ka konstatuar edhe prokuroria e posaçme e cila në raportin e saj vjetor ndër aktivitetet kriminale, rendit pastrimin e parave si një vepër penale të përhapur.
Siç dhe shihni në faqen 31 të raportit të SPAK thuhet: Format e pastrimit të parave janë “Investimi në prona të luajtshme dhe të paluajtshme”
Tek pronat e paluajtshme raporti i SPAK rendit: Apartament, Ndërtesa, Truall, Pemishte, Njësi Shërbimi, etj. Investime këto dhe prona të blera nga grupe kriminale dhe krimi në qytete si: Tiranë dhe zona Bregdetare (Vlorë, Durrës, Lezhë).
Përgjatë vitit 2023 Pastrimi i Parave është shtrirë thuajse në të gjithë vendin me përjashtim të qarkut të Dibrës i cili rezulton se ka zero procedime penale.
Kjo është tabela e cila tregon se 25 % të totalit e zë Tirana, Vlora me 20, Lezha 11 %, Fieri me 10 ndjekur më pas nga qytetet e tjera.
Femrat apo meshkujt, personat që banojnë në fshat apo qytet, me arsim apo të pa shkollë përfshihen në pastrimin e parave?
Këto janë të dhënat e detajuara të cilat i bën publike emisioni “FactCheck” marrë zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme:
Të dhënat socio-demografike të të pandehurve për këtë grup veprash penale, si gjinia, mosha, arsimi, gjendja shoqërore, vendbanimi e gjendja gjyqësore, paraqiten në mënyrë të detajuar në vijim:
Nga numri i të pandehurve të rritur (mbi 18 vjeç), rezultojnë të pandehur meshkuj 90,91 % dhe femra 9,09 %.
Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 27,27 % e të pandehurve janë me arsim deri 9-vjeçar, 65,15 % me arsim të mesëm dhe 7,58 % e të pandehurve me arsim të lartë.
Për sa i përket gjendjes shoqërore nga të dhënat statistikore rezulton se 18,18 % e të pandehurve janë nga sektori privat dhe 81,82 % janë të papunë.
Rezulton se 71,21 % e të pandehurve kanë vendbanimin në qytet ndërsa 28,79 % prej tyre në fshat. Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, rezulton se 56,06 % e të pandehurve janë të padënuar më parë, ndërsa 43,94 % prej tyre janë përsëritës për vepra penale të ndryshme.



