
Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron është emëruar si sekretari i ri i Jashtëm, ka njoftuar Downing Street.
Kjo lëvizje vjen në një ditë kur Suella Braverman u shkarkua nga posti i sekretares së Brendshme dhe James Cleverly u emërua në vend të saj.
“Ne po përballemi me një grup sfidash të frikshme ndërkombëtare, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme. Në këtë kohë të ndryshimeve të thella globale, rrallë ka qenë më e rëndësishme që ky vend të qëndrojë pranë aleatëve tanë, të forcojë partneritetet tona dhe të sigurohet që zëri ynë të dëgjohet. Ndërsa kam qenë jashtë politikës së vijës së parë për 7 vitet e fundit, shpresoj që përvoja ime si lider konservator për 11 vjet dhe Kryeministër për 6 vite, do të më shërbejë për t’i ardhur në ndihmë kryeministrit," tha Cameron.
Cameron u tërhoq në vitin 2016 pasi humbi referendumin për Brexit. Në deklaratat e tij publike ai ka vënë në dukje se ndonëse nuk pajtohet me disa nga vendimet individuale të Sunak-ut, ai e konsideron kryeministrin një lider të forte dhe të aftë.
Vendimi për rikithimin e Cameron është përshëndetur nga Theresa May. "Përvoja e tij e madhe në skenën ndërkombëtare do të jetë e paçmuar në këtë kohë të pasigurisë së madhe në botën tonë," shprehet ajo.
Cameron, i cili asnjëherë s'e kishte mohuar mundësinë e rikthimit në politikën aktive, shihet gjerësisht si pjesë e grupit të moderuar të konservatorëve.
James Cleverly, i cili u emërua sekretar i Brendshëm, në një reagim të parë për detyrën e re tha: “Është nder të emërohesh si sekretar i Brendshëm. Qëllimi është i qartë. Detyra ime është t'i mbaj të sigurt njerëzit në këtë vend".
Pas shkarkimit Braverman bëri një deklaratë duke vënë në dukje se kishte qenë "privilegji më i madh i jetës së saj" duke shërbyer si Sekretare e Brendshme, duke shtuar "Kam më shumë për të thënë në kohën e duhur".



