(Në foto, Ergys Agasi, Embro Sulejmani)
Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masë sigurie “detyrim paraqitje”, ndaj ndihmësit të Ergys Agasit, Embro Sulejmanit si ndalim për daljen nga çendi.
Vendimi u mor ditën e sotme nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili kësisoj e nxjerr Sulejmanin nga qelia.
Sulejmani, akuzohet se ka fshirë kamerat e sigurisë në momentin që Agasi është arrestuar.
Po ashtu ai akuzohet se ka fshirë pamjet e kamerave në ambientet e vilave qeveritare, të cilat janë frekuentuar nga Agasi gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në arrati.
Vendim
1. Miratimin e Vendimit nr. 67, datë 21.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z.E.S.
2. Ndryshimin e Vendimit nr. 70, datë 24.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z. E.S.
3. Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj Z. E.S..
4. Urdhërimin e Z. E.S. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin paraprak të gjykatës.
5. Ndalimin e përdorimit të dokumenteve identifikuese për daljen jashtë shtetit të Z. E.S. pa autorizimin paraprak të gjykatës.
6. Caktimin ndaj Z. E.S. të masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale.
7. Detyrimin e Z. E.S. të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 09:00, para oficerit të policisë gjyqësore që heton çështjen si dhe sa herë të thirret nga organet proceduese në vijim të procedimit penal.
8. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të Z. E.S., nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.
9. Miratimin e Vendimit nr. 70, datë 24.09.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt Z. Fatjon Kalluçi.
10. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
11. Në bazë dhe për zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
12. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.



