
Italia është përfshirë ditët e fundit nga një valë protestash dhe grevash në përkrahje të popullit palestinez, të cilat kanë shkaktuar edhe ndërprerje të shërbimeve të transportit publik në disa qytete.
Aktivistja Fjoralba Duma nga Italia, në një prononcim për edicionin e lajmeve në MCN TV, tha se protestat kanë marrë përmasa të gjera dhe po zhvillohen në shumë qytete të Italisë, duke përfshirë grupe të ndryshme shoqërore dhe politike.
Sot kemi një mobilizim qytetar mbarëkombëtar pro Palestinës. Sheshet janë mbushur me aktivitete dhe demonstrata përkrahëse.
Kjo tregon ndërgjegjësimin e qytetarëve italianë për tragjedinë që po ndodh në Gaza.
Pavarësisht se shteti italian konsiderohet pjesërisht i përfshirë përmes marrëveshjeve ushtarake me Izraelin, shoqëria civile, veçanërisht e majta, lëvizjet antifashiste, por edhe grupe të qendrës dhe të djathtës, po tregojnë një qëndrim të unifikuar në mbështetje të palestinezëve.
Italia është ndër vendet më aktive në Evropë përsa i përket mbështetjes ndaj Palestinës.
Kemi një reagim të gjerë që shkon përtej ndarjeve politike. Protestat janë organizuar në dakordësi me sindikatat dhe kanë rezultuar në një mobilizim të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin.
Ajo shtoi gjithashtu se në Itali është e zakonshme dhe e pranueshme të flasësh hapur për çështjen palestineze, dhe se zëri i intelektualëve dhe i shoqërisë civile ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit publik.



