SPAK ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, e cila në total kap vlerën 6 milionë dollarë.
Sipas dokumentit, firma është hedhur në 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe si garant në SHBA ka dalë shqiptaro-amerikani Nuredin Seçi.
Pas interesimit të MCN Live në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se kontrata e lobimit të PD-së në SHBA nuk është depozituar pranë këtij institucioni, raporton gazetari Arsen Rusta.

“Rezulton që në këto momente që asnjë para s’ka kaluar nga Shqipëria. Kontrata s’është depozituar në KQZ, pasi s’është bërë nga PD, por një shtetas shqiptar në Amerikë, me përfitues PD-në. Ka firmosur deputeti Flamur Noka. Do të pyetet apo jo Noka në SPAK? Kjo mbetet për t’u parë, megjithatë SPAK po i kryen këto verifikime. Janë para të shqiptarëve, donacioneve, para të PD-së, të kaluara në mënyrë të kamufluar, askush s’di ta japë këtë përgjigje. SPAK mund t’i kërkojë SHBA-ve kontratën që tashmë është publike, ose marrjen në pyetje të shtetasit Nuredin Seçi. Deri në këto momente është paguar vetëm kësti i parë 250 mijë dollarë. A është një kontratë për t’i hequr non gratën Berishës, apo për të siguruar një vizitë të tij në SHBA, kjo mbetet për t’u parë. Deri në këto momente s’ka para të kaluara nga Shqipëria, por është para e kaluar nëpërmjet llogarive në SHBA”.



