Një aksident tragjik ka ndodhur gjatë natës në aksin e rrugës kombëtare Prrenjas-Librazhd, në vendin e quajtur Pishkash, në Njësinë Administrative Qukës.
Burime nga vendngjarja të korrespondentes së MCN nga Elbasani konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, ku janë përfshirë një autoveturë dhe një kamion. Automjeti i tipit "Benz", me targa AA 716 KS dhe drejtues shtetasin Zef Sinani, 34 vjeç, është përplasur me një kamion me targa SK 3842 BO, i drejtuar nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut.
Si pasojë e përplasjes, një femër ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i autoveturës ka mbetur i plagosur rëndë.
Megi Xhetani është identifikuar si 20-vjeçarja që mbeti viktimë e një aksidenti tragjik të ndodhur pas mesnatës në aksin Përrenjas-Librazhd.
I plagosuri është transportuar fillimisht në Spitalin e Librazhdit dhe më pas në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Viktima është dërguar në morgun e Elbasanit.
Dyshohet paraprakisht se shkaku i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e tepërt në një kthesë të fortë në Pishkash.
Autoritetet janë duke dokumentuar provat e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.



