
Analisti dhe gazetari Mustafa Nano i cilëson absurde protestat që pasuan vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha javën e kaluar. Në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, Nano tha se ngjarja ishte një incident tragjik.
“Qëndrimi im është ky: këto protesta janë abvsurde sepse nuk ka arsye të zhvillohen. Ka një incident tragjik, jo një vrasje. Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë dhe nuk ka për të ndodhur. Ka qenë një incident tragjik. Ministri ka dhënë dorëheqjen dhe protestat vazhdojnë”, tha ai.
Nano shtoi se “protesta u la në dorë të disa 16-vjeçarëve që duhet të mësojnë dhe jo t’i japin leksione shoqërisë”.
Ndërsa mbështetjen e ambasadorit italian për kryepolicin Ardi Veliu, Nano e sheh si përkrahje për rendin dhe sigurinë.
“Është një përkrahje që bën ambasadori, ndaj stabilitetit dhe sigurisë. Por ambasadorët duhet të jenë të kujdesshëm në rrethana të tilla”, theksoi ai.
Nano vlerësoi qëndrimin që ka mbajtur babai i viktimës.
“Babai i Rashës që në momentin e parë, i pyetur për familjen e vrasësit, u përgjigj në mënyrë ekzemplare: kjo është punë e shtetit dhe vetëm e tij. Ai ka qenë njeriu më i urtë në të gjithë këtë situatë”, tha ai.



