
Faktin se sa duhet gazetari të jetë njësh me politikën, për gazetaren dhe zëvendëskryeredaktoren e MCN TV, Klementina Cenkollari, e ftuar në “Arnautistan”, nuk përbën gjithnjë rëndësi, sepse detyra e këtij profesioni është informimi.
Cenkollari, thotë se megjithëse misioni i saj është informimi, vazhdon të ndjehet e zhgënjyer nga klasa politike në Shqipëri, dhe si e tillë, nuk ka qenë asnjëherë pjesëmarrëse në procesin e votimeve në vend.
“Më pëlqen çdo parti e cila përpiqet të vendosë të parin qytetarin. Duke parë dhe ndjekur politikën për shumë vite në Shqipëri e kam pasur të vështirë pozicionimin. Unë hyj të elektorati “gri” që nuk pozicionohet askund, nuk e kam parë veten askund deri tani. Nuk kam marrë asnjëherë pjesë në votim, jam e zhgënjyer nga klasa politike”, tha Cenkollari.
Por duke bërë autokritikë, Cenkollari, thotë se duke ftuar të tjerët të dalin në votime përmes detyrës së gazetares, nuk e ka bërë vet një gjë të tillë, për arsyen e vetme, zhgënjimin.
“Është moment për tu kritikuar që nga njëra anë unë si gazetare u bëj thirrje njerëzve të bëhen pjesë e votimeve, por nga ana tjetër nuk e ushtroj këtë detyrim që kam, por arsyeja e vetme është zhgënjimi”, tha gazetarja.



