Qeveria ka parashikuar që nga shpërblimet e fundvitit do të përfitojnë pensionistët, personat me status të veçantë invaliditeti dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Vendimi që pritet të bëhet public pas pak ditësh parashikon që masa e shpërblimit të jetë nga 2500 lekë deri në 3000 lekë, raporton sot “Panorama”, e cila citon burime të qeverisë. Në skemën e shpërblimeve nuk do të përfshihen punonjësit e administratës. Buxhetorëve shpërblimi do t’u jepet nëpërmjet rritjes së pagës, që do të nisë nga 1 marsi i 2017-s. Ndërsa rreth 650 mijë pensionistë në të gjithë vendin pritet të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit në masën 2500-3000 lekë.
Konkretisht, sipas skemës, do të përfitojnë shpërblim prej 2500-3000 lekësh rreth 372 932 pensionistë, që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, si dhe 145 580 pensionistë që marrin pension fshati. Përfitues të shpërblimit do të jenë edhe 81 mijë kryefamiljarë që përfitojnë nga skema e energjisë elektrike, si dhe 68 mijë nga kategori të veçanta në statusin e personave me aftësi të kufizuara. Përfitues të skemës së shpërblimeve për fundvit do të jenë edhe 3 595 persona që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe 10600 persona që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Vlera e shpërblimit për këto kategori do të jetë 2,5 mijë lekë deri në 3 mijë lekë.



