Rrugëtimi i hetimeve të “Sterilizimit”, a kishte presione politik?

Rrugëtimi i hetimeve të “Sterilizimit”, a kishte presione politik?

Për të bërë analizën, nëse koncesioni ka qënë i leverdishëm për buxhetin e shtetit dhe në kahun e kujt ka rënduar peshorja, ta tregon një shifër: norma e fitimit. Sa para ka fituar koncesionari pas mbledhjes së të ardhurave nga buxheti duke i zbritur shpenzimet që ka patur për këtë shërbim?

Sipas të dhënave të Ministrisë se Financave, koncesionari ka marrë deri në fund të vitit 2022, 95 milion euro nga 70 milion euro që parashikohej në kontratë. 25 milion euro më shumë. Sipas projeksioneve të buxhetit, pagesat për kompaninë e sterilizimit në fund të kontratës do të jenë 148 milion euro, nga 100 milion që ishte vendosur gjatë nënshkrimit të saj. 48 milion euro ose 50% më shumë.

Koncesionari rezulton se në disa vite del me humbje dhe në disa të tjera me fitim, çka në një hedhje syri sipërfaqësor të bilancit, të krijon përshtypjen se ka investuar dhe ka një marzh normal fitimi. Kështu, në vitin 2015 që ishte viti i parë i zbatimit rezulton të ketë patur 41 mijë euro humbje dhe 1.6 milion euro humbje në vitin 2016. Më pas ka akumuluar humbje 1.95 milion euro në 2020-n, periudhë kur numri i ndërhyrjeve kriurgjikale u ul për shkak të pandemisë dhe në vitin 2019 humbje në vlerën 105 mijë euro. Nëse bëhet në fund mbledhja e fitimeve që ka patur në 4 vitet e tjera, rezulton që kompania koncesionare e sterilizimit të ketë fituar 3.9 milion euro në 8 vite të operimit të kontratës, ose 500 mijë euro në vit. Por në fakt nuk ka fituar kaq pak.

Dosja e SPAK nxjerr në pah se pronarët e Sani Service kanë faturar firmën për shpenzime konsulence në vlera mijëra euro pothuajse për vit, ndërsa me skema të tjera, të njëjtët pronarë rezultojnë që të kenë krijuar kompani që ofronin shërbime për koncesionin dhe faturonin shuma të fryra që siguronin marzhe të larta fitimi.

Elisabeta Anzanello, bashkëshortja e Umbro Staccinit ka marrë për konsulencë ndaj Sani Servicë 52.5 mijë euro në vitin 2017, 40 mijë euro në vitin 2018 dhe 70 mijë euro në vitin 2021.

Ilir Rrapaj ka marrë 120 mijë euro në çdo vit të kontratës koncesionare, ku thuhet se arsyeja lidhet me kompetencat dhe mjetet që ka vendosur në dispozicion të koncesionit. 120 mijë euro në vit ka marrë dhe Umbro Staçini për konsulencë, ndërsa me pronarin tjetër të koncesionit, kompaninë Ujet srl ka patur kontratë 198 mijë euro për trajnime, ndërsa Tecnosanimed do të paguhej 2.6 euro për menaxhimin e mbetjeve për çdo ndërhyrje kirurgjikale.

Duket se Ilir Rrapaj, shqiptari që kishte lidhje dhe me politikën, kishte tortën dhe aksesin më të madh në këtë kontratë koncesionare. Vetëm nga kompania Globasher e hapur për të ofruar shërbime për koncesionin, ai ka faturuar 7.3 milion euro shërbime, të cilat në fakt nuk i ka ofruar vetë por i ka nënkontraktuar. Për nënkontraktimet e tyre ai ka paguar 440 mijë duke siguruar një fitim, vetëm për disa transaksione të bëra gjatë një viti, prej 6.8 milion euro.

“Ku kanë shkuar paratë? Këtë duhet të na thotë Prokuroria?” thotë aktivisti i Nismës Thurrje Pano Soko.

Prokuroria dyshon se kompania e tij përdorej vetëm për konsulencë dhe nuk ishte e aftë të ofronte shërbimet, por nuk ka hetuar gjurmët se ku kanë shkuar milionat euro që Sani Service ka paguar për Globasher. Njësoj si këto transaksione, hetuesit renditin në një listë tjetër me 11 milion euro shërbime për të cilat koncesionari ka kontraktuar Globasher. Kjo kompani nuk rezulton të jetë nënkontraktor i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë siç detyron  kontrata, por askush nuk e ka monitoruar atë, as në kohën kur ministria drejtohej nga Ilir Beqaj dhe as në kohën kur u drejtua nga Ogerta Manastirliu.

“Kosto për një operacion të thjeshtë apandesiti tashmë kushtonte 60 mijë lekë të rinj nga 20 mijë lekë që kushtonte më parë. Thuhet që është ulur numri i infeksioneve pas operimeve por nuk kemi një studim shkencor që të në thotë sa është ulur në raport me numrin e operacioneve që janë kryer?” thotë Profesor Doktor Pirro Prifti.

Zbatimi i kontratës, konstaton shkelje më vete, por këto përgjegjësi nuk janë adresuar në dosje dhe as në vendimin e gjykatësit paraprak të çështjes. Ato ose do të varrosen, ose ka një fraksion të dosjes që nuk është bërë publik për shkak të sekretit hetimor. Kronos u interesua pranë Spak nëse ka një hetim paralel për hetimin, por deri në këto momente nuk ka marrë përgjigje. Këto janë disa nga pikat që duhen hetuar për zbatimin:

  1. Dosja hetimore kontaton se i gjithë investimi i çentralit të sterilizimit përdorej nga koncesionari pa asnjë dëmshpërblim dhe kjo është lejuar përgjatë 8 viteve nga Autoriteti Kontraktor.
  2. Investimet nuk janë bërë në përputhje me kontratën dhe në QSUT hetuesit nuk kanë faktuar asnjë investim të kryer.
  3. Koncesionari përdorte për aktivitet produktiv të përditshëm qendrat Back Up, ndërkohë që kontrata koncesionare lejonte përdorimin e tyre vetëm në raste emergjente. Në këto qendra energjia dhe uji paguheshin dhe vazhdojnë të paguhen nga spitalet shtetërore.
  4. Një grup pune i ngritur në vitin 2018 konstatonte se në kontratë ishte vendosur gabim numri 50 mijë sete në vit nga 63 mijë që ishte nevoja, por në vend që të kërkohej ndryshimi i kësaj vlere, kontrata e rishikuar uli me 25% çmimin për setet kur kalonte numri 63 mijë, pa mbrojtur interesat e Autoritetit Kontraktor.
  5. Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor bllokoi shtrirjen e sterilizimit të seteve me avull përgjatë viteve 2017 dhe 2018 në shumicën e pavionëve të QSUT duke bërë që për mbi 20 mijë sete në vit të paguhet vlera 139 euro, pasi përdorej seti me kompleksitet të ulët në vend të atij me avull që kushton 2.66 euro. Ky bllokim i nisjes së punës ka çuar në xhepat e koncesionarit 136.3 euro për çdo instrument të përdorur dhe ka shkaktuar një dëm prej të paktën 5.8 milion euro për vitin 2018.
  6. Në vitet 2017 dhe 2018 rezulton të jenë paguar 76 mijë euro për koncesionarin për sterilizimin me avull dhe temperaturë të ulët e të lartë të 21.863 seteve, por nuk rezulton asnjë dokumentacion që vërteton përdorimin e tyre ndërsa repartet që kanë tërhequr setet nuk kryejnë ndërhyrje kirurgjikale.

SPAK thotë në dosje se për këto mospërputhje mbajnë përgjegjësi Erion Manohasa dhe Eduard Ahmeti, në cilësinë e personave përgjegjës të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, por pa zbuluar emra, lidhje dhe përgjegjësi në gjithë zinxhirin drejtues të këtij aparti, përfshi dhe ministrinë e Shëndetësisë.

“Këto që them unë vazhdojnë dhe gjatë zbatimit. Ulja e operacioneve që të mos shpenzoheshin shumë para dhe rinegocimi i kontratës. Rinegocimi i kontratës është i turpshëm” thotë Pano Soko.

Vetë Ministria e Shëndetësisë mund ta rregullonte, por aty ka dy probleme të mëdha: nuk funksionojnë mirë drejtoritë spitalore dhe përreth ministrit ka këshilltarë që nuk janë profesionistë dhe meritokratë.” thotë Profesor Doktor Pirro Prifti.

Sterilizimi është dosja e parë e regjistruar në SPAK, por nëse hetimet dhe arrestimet ecën shpejt në çështje më të komplikuara, siç ishin inceneratorët, këtu prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi duket se iu deshën 3 vjet e gjysëm hetime dhe pa kryer hetim pasuror siç kërkon vepra penale e korrupsionit, detyrë që ia ka lënë gjykatësi paraprak i çështjes Erjon Bani.

 “Ka indicie të mjaftueshme që SPAK të kryejë veprime e hetime për për veprat penale “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të i zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të i zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”. Kjo do të provojë nëse e gjithë veprimtaria e paramenduar kriminale e planifikuar në detaje nga personat nën hetim Ilir Rrapaj me personin nën hetim Klodian Rjepaj, si dhe për shkak të njohjeve personale të këtij shtetasi me shtetasin italian Umbro Staçini me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, është rrjedhojë e përfitimit të parregullt që rrjedh nga korrupsioni i zyrtarëve që kanë marrë pjesë në këtë procedurë. Për këtë nevojitet një hetim pasuror.” thuhet në vendimin e gjykatësit Erjon Bani.

Veprimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e sterilizimit kanë qënë të vakta 2 vitet e para. Kronos ka përmbledhur të gjitha procedurat hetimore në bazë të asaj që prokurorët e çështjes kanë depozituar në dosje pranë Gjykatës sëPosaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar .

Në 23 dhjetor 2019 çështja është depozituar në SPAK. Në janar 2020 prokurorët regjistrojnë procedimin penal dhe marrin në pyetje si persona që kanë dijeni kallzuesit e çështjes, Pano Sokon dhe Artan Konin.

Të njëjtin muaj ata dërgojnë kërkesë pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit për të marrë raportet e auditimit për koncesionin e sterilizimit. Raportet mbërrijnë pas disa ditësh, por nga janari deri në nëntor 2020, SPAK nuk ka hetuar dhe as pyetur njeri për këtë çështje. Në nëntor dhe dhjetor ata pyesin si persona që kanë dijeni dy auditues të KLSH-së. Pas këtyre deponimeve hetuesit nuk kanë bërë asnjë veprim për 9 muaj. Gjatë vitit 2021 puna për çështjen e sterilizimit ka nisur në muajin tetor. Në këtë kohë është sekuestruar e gjithë dosja e procedurës së tenderit dhe janë kërkuar informacione nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në nëntor është bërë kqyrja e një investigimi të Birn për dosjen e sterilizimit i botuar në vitin 2017, i cili zbulonte lidhjet dhe udhëtimet të ministrit Beqaj dhe zv/ ministrit Rjepaj me pronarët e koncesionit. Më pas është bërë kqyrja e faqes së internetit të Ministrisë së Shëndetësisë për të vërtetuar udhëtimet. Në dhjetor janë dërguar materiale dhe shkresa zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë marrëveshjet e lidhura në rajonin e Umbrias si dhe është dërguar kërkesë pranë autoriteteve të Kosovës për të dhënat e kompanisë Investital në pronësi të Ilir Rrapaj, e cila zë 40% të aksioneve në koncesionin e sterilizimit

Veprimet hetimore janë bërë intensive vetëm gjatë vitit të shkuar. Përgjatë të gjithë muajve hetuesit dhe prokurorët kanë bërë verifikime, kqyrje të fakteve dhe provave, kontrolle në sistemin Tims, në regjistrin e pasurive të patundshme dhe kanë kërkuar emailet e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë. Në muajt korrik dhe gusht janë thirrur për t’u pyetur dhjetra zyrtarë që kishin dijeni mbi çështjen e koncesionit të sterilizimit, mes të cilëve dhe ish-ministri Ilir Beqaj.

Më 22 maj 2023 prokurorët e çështjes ngrejnë akuzën për veprën penale “mashtrim”, “falsifikim i dokumentave” dhe “shpërdorim detyre” për ish-zv/ministrin Klodian Rrjepaj për të cilin u kërkua masa e “arrestit me burg”. E njëjta masë u kërkua dhe për biznesmenin pas koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj për veprën penale të “mashtrimit”. Për juristen Marsela Serjani dhe Saimir Kadiun, pjesë të komisionit të dhënies me koncesion u kërkua masa “arrest shtëpie” për veprën penale “shpërndorim detyre” dhe “falsifikim kryer në bashkëpunim”. Për të njëjtat vepra penale për antarët e tjerë të komisionit, rektorin e Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, drejtorin e Drejtorisë Spitalore Petref Mersini, dhe anëtarët e KVO-së Genc Burazeri dhe Naile Abazi, u kërkua masa “detyrim paraqitje”.

Gjykatësi i çështjes Erjon Bani nuk ra dakord me vendimin e prokurorëve për të mos ngritur akuzë ndaj ish ministrit Ilir Beqaj. Ai la detyrë që të hetohet Beqaj por dhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani. Kësaj liste gjykatësi i shtoi dhe 4 antarë të Komisionit të Prokurimit Publik që sipas tij nuk morrën masa për anullimin e garës pasi konstatuan shklejet “flagrante të ligjit” në procedurën e sterilizimit.

 “Gjykata çmon se SPAK të orientohet të ushtrojë ndjekjen penale ndaj Ilir Beqaj me detyrën Ministër i Shëndetësisë dhe Shkëlqim Cani me detyrë Ministër i Financave në kohën kur është zhvilluar procedura e koncesionit objekt gjykimi, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” e kryer në bashkëpunim si dhe për anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik, Gentian Këri, Spiro Kuro, Leonard Gremshi dhe Hektor Balluku, po për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” e kryer në bashkëpunim.” thuhet në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani.

Gjyqtari i çështjes argumenton në vendim se kontrata koncesionare është e pavlefshme nga ana administrative pasi është nënshkruar në kushtet e konfliktit të interesit dhe është produkt i kryerjes së disa veprave penale. Ai kërkon anullimin e saj.

“Të komunikohet me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave në përfundim të hetimeve paraprake me qëllim marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshëmrisë së Kontratës Koncesionare datë 02.12.2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë përfaqësuae nga Ilir Beqaj dhe shoqerisë Sani Service përfaqësuar nga Admir Daca.” thotë gjykatësi Erjon Bani.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy