Disa banorë në zonën e Selitës, në rrugën Hasan Vogli kanë denoncuar në emisionin Xhadat dëmtimin e rrugës dhe shtyllës së energjisë nga mjetet e tonazhit të rëndë që kalojnë çdo ditë në lagjen e tyre.
Sipas tyre ato kanë prishur rrugën, duke hapur gropa, kanë dëmtuar trotuaret, madje kanë dëmtuar gjithashtu një shtyllë elektrike e cila rrezikon të bjerë.
Banorët u shprehën se kamionët fillojnë punën në orën shtatë të mëngjesit në një rezidencë aty pranë dhe nuk pushojnë për 12 orë.
Ata thanë se këto mjete e kanë një rrugë alternative shumë pranë sektorit ku po punohet, por nuk e dinë përse kalojnë nga lagjja e tyre teksa distanca është edhe më e madhe.
Xhadat ju drejtuan zonës ku po kryheshin punimet, nga ku dilnin kamionët ose betonieret. Gazetari komunikoi me përgjegjësin e sigurisë duke e pyetur për firmën që po ndërtonte aty, por nuk mori asnjë përgjigje.
Ai kërkoi të fliste me përgjegjësin e punimeve, por ky i fundit nuk pranoi të dalë. Banorët e kishin shprehur këtë shqetësim edhe tek aplikacioni Tirana Ime, por sipas Bashkisë, nga verifikimet e kryera në terren nuk ishte konstatuar asnjë lëvizje e kamionëve në atë zonë.
Për ekspertin Gëzim Hoxha, firma që kryen punimet duhet patjetër të marrë përsipër rregullimin e rrugës së dëmtuar dhe çdo pasojë tjetër. Sipas tij kjo ka lidhje me korrupsionin pasi shteti ka struktura të posaçme që të mos i lejojë firmat të shkaktojnë dëme, si prishja e rrugës, por ato nuk veprojnë, me gjasë se janë të korruptuara nga firmat ndërtuese.



