Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacientët janë babë e bir, që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë. Gjendja e tyre është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione.
Dy rastet në fjalë e fusin vendin tonë në listën e vendeve të prekura nga epidemia. Ditët e fundit, rastet e para u regjistruan në vende të rajonit si Serbia e Bosnja.
Ndërkohë, Kosova dhe Mali i Zi mbeten tashmë vendet që nuk kanë ende asnjë të prekur.
Pas dy rasteve të para, strukturat e urgjencës kombëtare dhe ISHP bëjnë të ditur se janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik.
MSHMS përsërit thirrjen për qytetarët të cilët kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndiejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t'i përgjigjen çdo rasti.



