
Në vizitën e 29-të ndërkombëtare që prej zgjedhjes në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku është ndalur në Bullgari. Ati i Shenjtë u ndal në çështjen e emigracionit, një prej sfidave me të cilat përballet Europa prej disa vitesh. Në fjalën e tij drejtuar autoriteteve dhe shoqërisë civile bullgare, në praninë e presidentit Rumen Radev, Papa Françesku kërkoi që emigrantëve të mos u mbyllet dera.
“Tridhjetë vjet pas rënies së regjimit totalitar që shtypte liritë dhe iniciativat, Bullgaria gjendet para pasojave që sjell emigracioni. Ju që e njihni këtë dramë, ju sugjeroj të mos i mbyllni sytë para atyre që ju trokasin në derë”, tha Papa.
Ati i shenjtë tha se 30 vjet pas rënies së regjimit totalitar që shtypte liritë dhe iniciativat, emigracioni i brendshëm dhe ai i jashtëm e kanë ndryshuar vendin ballkanik. Por në të njëjtën kohë, Bullgaria po përjeton edhe atë që njihet si “dimri demografik”, një fenomen që ka ardhur si pasojë e rënies së besimit te e ardhmja.
“Rënia e numrit të lindjeve, që i është shtuar fluksit migrator ka sjellë shpopullimin dhe braktisjen e shumë fshatrave e qyteteve. Bullgari është sot përballë atyre që kërkojnë të hyjnë në vend, për t’u ikur luftërave, konflikteve dhe varfërisë e për të gjetur një strehë të sigurt”, tha Papa.
Ati i Shenjtë ka vizituar edhe Pallatin e Sinodit në Sofie, ku është pritur nga patriarku i kishës ortodokse bullgare, Neofit. Të martën, Papa Françesku do të vizitojë Maqedoninë e Veriut.



